Site icon Telegrafi

KPM publikon rregulloren për mediat gjatë zgjedhjeve parlamentare 2025

Komisioni i Pavarur i Mediave ka dalë me njoftim për zgjedhjet parlamentare që do të mbahen më 09.02.2025. Ky institucion ka nxjerrë një rregullore për obligimet e ofruesve të shërbimeve mediale gjatë fushatës zgjedhore.

Të gjithë ofruesit e shërbimeve mediale audio-vizuale njoftohen se gjatë fushatës dhe heshtjes zgjedhore duhet të vepronë në pajtueshmëri me legjislacionin e KPM-së.

“OSHM-të (televizionet dhe radiot) të cilat vendosin të organizojnë programin e tyre gjatë fushatës zgjedhore do të deklarohen tek KPM nëse do të mbulojnë fushatën jo më larg se shtatë (7) ditë kalendarike para fillimit të fushatës zgjedhore (neni 6.2 i Rregullores KPM-2024/03)” – thuhet mes tjerash në njoftim.

Tutje thuhet se këto institucione të licencuara nga KPM duhet të dorëzojnë ditarët për zgjedhjet, Ditarin A me terminet pa pagesë dhe Ditarin B me terminet me pagesë.

“Ditarët plotësohen dhe dorëzohen në KPM të hënën e secilës javë për të raportuar për javën paraprake, sipas Nenit 11, paragrafi 3 i Rregullores KPM-2024/03” – thuhet tutje në njoftimin e KPM-së.

Një javë para fillimit të fushatës zgjedhore, duhet që të dërgohet çmimorja e aplikuar gjatë zgjedhjeve.

Exit mobile version