Telegrafi

KPM-ja me dy propozime për Klan Kosovën

Kryetari i Komisionit të Pavarur të Mediave, Jeton Mehmeti, ka thënë sot se Zyra ligjore e KPM-së ka dhënë dy rekomandime për sa i përket vendimit për pezullimin e certifikatës së biznesit të Klan Kosovës.

Mehmeti tha se dispozita e parë është Klan Kosova, në afat prej 30 ditëve obligohet ta plotësoj dokumentacionin e nevojshëm për mbajtjen e licencës.

“Duke marrë parasysh faktin se vendimi për pezullimin e certifikatës së biznesit Klan Kosova, vë në dilemë ligjshmërinë e regjistrimit të këtij biznesi, nga zyra ligjore e KPM-së kemi një rekomandim i cili ka dy dispozita”.

“E para, obligohet ofruesi i shërbimit medial, Klan Kosova, që në afat prej 30 ditësh nga pranimi i këtij vendimi ta plotësoj dokumentacionin e nevojshëm për mbajtjen e licencës së transmetimit, konform rregullores për ofruesit e shërbimeve mediale të KPM-së të vitit 2021”.

“Dy, dështimi për të vepruar në pajtim me rregulloren për ofruesit e shërbimeve mediale, brenda afatit të përcaktuar do të rezultojë me masa sanksionuese të përcaktuara me nenin 30 të ligjit të KPM-së”, tha Mehmeti, njofton Klankosova.tv

Tutje, ai hapi këtë çështje për diskutim në mes anëtarëve të bordit të KPM-së, diskutim i cili po vazhdon aktualisht.