Site icon Telegrafi

KPK-ja themelon tri departamente, atë për luftimin e korrupsionit, krimit të organizuar dhe Departamentin kundër terrorizmit

Këshilli Prokurorial i Kosovës ka miratuar sot Raportin vjetor të punës së KPK-së për vitin 2019, ndërsa po miratoi themelimin e tri departamenteve të reja në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës: Departamentin për luftimin e korrupsionit, Departamentin për krim të organizuar dhe krim financiar dhe Departamentin kundër terrorizmit.

Këto tri departamente i ka prezantuar kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi.

KPK-ja ka miratuar dy raporte periodike për periudhën korrik – shtator dhe tetor – dhjetor të vitit 2019, që hartohen në kuadër të raportimeve të rregullta për luftimin e krimeve ekonomike, të cilat i prezantoi Koordinatori Kombëtar për Luftimin e Krimeve Ekonomike, Shqipdon Fazliu.

Po ashtu, Këshilli Prokurorial ka miratuar edhe Kërkesën e Kryeprokurorit të Shtetit për transferimin e tre prokurorëve – dy në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës dhe një në Prokurorinë Themelore në Ferizaj, si dhe ka marrë vendim për transferimin e një prokurori nga Prokuroria Themelore e Prishtinës në atë të Mitrovicës për një periudhë të caktuar. /Telegrafi/

Exit mobile version