Kryetari i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski, sot tha se partia e tij do të përkrah propozimin që të mund të votojnë qytetarët që kanë dokumente personale me emrin e vjetër të shtetit.
Në konferencën për shtyp duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari, ai tha se propozimi është diskutuar që nga fundi i vitit të kaluar.
“Ne do të mbështesim dhe tashmë po diskutohet. Grupet punuese që kanë punuar për Ligjin Zgjedhor që nga fundi i vitit të kaluar janë duke punuar në zgjidhjen për të pasur dispozitë e cila do t’i mundësojë çdo qytetari të ushtrojë të drejtën e tij të votës”, theksoi Kovaçevski.
Sa i përket numrit të qytetarëve që nuk kanë dokumente personale, ai tha se nuk mund të thotë numrin e saktë, por se atyre duhet t’u garantohet e drejta e votës në zgjedhje.
“KSHZ-ja dhe MPB-ja mund të thonë për numrin e saktë të qytetarëve, por bëhet fjalë për një numër prej rreth 100 mijë qytetarë të cilëve duhet t’u garantohet e drejta e votës në zgjedhje”, theksoi ai.
Kovaçevski po ashtu tha se sa i përket listave të kandidatëve për zgjedhjet parlamentare, LSDM do të ketë kandidatë në të gjashtë njësitë zgjedhore./Telegrafi/