E di që sfidat me të cilat përballemi krijojnë mosbesim. Për këtë vit kam bërë maksimumin, më së shumti që mund të bëhet në kushte të tilla krize. Për të bërë më shumë dhe më mirë, qeveria dhe unë kemi nevojë për mbështetjen e qytetarëve, theksoi kryeministri Dimitar Kovaçevski në intervistën e Vitit të Ri për “Fokus”.
Viti i kaluar, deklaron kryeministri, ishte jashtëzakonisht i vështirë, vetëm pas përfundimit të pandemisë filloi lufta në Ukrainë. Kriza ekonomike u thellua, pastaj erdhi kriza energjetike dhe patëm vendime të vështira në planin politik.
“Vlen të theksohet se përveç të gjithave, kriza është edhe një mundësi. Nga ky aspekt, transformimi energjetik është shumë i rëndësishëm për vendin. Maqedonia e Veriut ka resurse dhe plani është që të shfrytëzojmë të gjitha resurset që kemi në dispozicion për ta bërë vendin një qendër energjetike të energjisë së gjelbër, dhe jo vetëm për rajonin, por edhe më gjerë”, thotë kryeministri.
I pyetur nëse është arritur një balancë gjatë kohës së tij në zgjidhjen e temave kryesore dhe çështjeve të brendshme, kryeministri thekson se është e rëndësishme që Maqedonia e Veriut të fillojë negociatat me BE-në. “Nuk jemi më të izoluar, reformat po ndodhin shpejt, në mënyrë dinamike, vendi është i sigurt dhe stabil, që është një përfitim i madh i vendimeve të marra këtë vit. Kjo do të thotë më shumë investime të huaja dhe vendase. Ato nënkuptojnë punë më shumë dhe më të paguara. Këtë vit janë hapur 2.000 vende pune në kompani që janë investime të huaja direkte dhe që paguhen më mirë se punët e tjera”, thotë kryeministri dhe thekson se ka vend për optimizëm racional.
Kovaçevski, në përgjigje të vlerësimit të performancës së ministrave dhe zyrtarëve nga nivelet e ulëta, përsëriti se nuk planifikon ndryshime të mëdha kadrovike.
“Gjithçka që listova, të gjitha reformat, rritja e pagës minimale… Ne kemi pagën mesatare më të lartë, askush nuk e besonte se do të arrinte mbi 500 euro. Kemi rritur me 10 për qind pensionet, kemi hapur numër më të madh të kopshteve. Tani kemi hapur autostradën Krupisht – Koçan, që do të thotë nga Shtip në Koçan një autostradë krejtësisht e re. Në autostradën Kërçovë-Ohër po punohet me dinamikë të fortë… E gjithë kjo është rezultat i ekipit të qeverisë. Dhe kjo është arsyeja pse pas këtyre 11 muajve, qeveria arriti rezultate të rëndësishme në kushte të vështira, duke përfshirë negociatat me BE-në”, thotë Kovaçevski.