Kryeministri i vendit, Dimitar Kovaçevski deklaroi sot se është mirë që bisedohet për ndryshimet kushtetuese dhe se edhe ata që ishin kundër, kohëve të fundit kanë sikur kanë ndryshuar qëndrim dhe janë pro, por me disa kushte të caktuara.
Kovaçevski tha se kjo çështje do të shtrohet në tavolinë dhe shpreson se do të arrihet një marrëveshje e pranueshme për të gjithë.
“Është mirë që bisedohet për ndryshimet kushtetuese, mendoj se është proces që duhet të zhvillohet në pajtim me ligjet tona. Kur të hapet ajo procedurë, kur të shihet se ka vullnet, konsensualitet, shoh se ka vullnet pozitiv, edhe ata që ishin kundër, shoh që me disa kushte të caktuara janë pro.
Mendoj se do të ulemi në tavolinë dhe t’i shpalosim të gjitha qëndrimet që në fund të arrijmë deri tek një zgjidhje që do të jetë e pranueshme për të gjithë”, tha Kovaçevski.
Ndërkohë i pyetur rreth zërave për përfshirjen e ASH-së në Qeveri, Kryeministri tha se nuk ka pas bisedime.
“Nuk kam pas bisedime me asnjë parti për përfshirje në qeveri”, u përgjigj shkurt Kovaçevski.