Site icon Telegrafi

Kovaçevski për Merkon: Të bëhen të gjitha kontrollet institucionale

“Predikim për Woodrow Wilson” e ka quajtur kryeministri Dimitar Kovaçevski kumtesën e kryetarit të Komunës së Strugës Ramiz Merko të publikuar në faqen në Facebook, pas shpalljes “non grata” nga ShBA-të.

Kovaçevski ka kërkuar që institucionet e vendit të bëjnë të gjitha kontrollet e duhura në lidhje me lëndët kundër Ramiz Merkos, përcjell Telegrafi Maqedoni.

“Pashë se që në mëngjes në rrjetet sociale ka një predikim për Woodrow Wilson me flamuj amerikanë etj, dhe ku thotë se komuna është e hapur për të gjitha organet hetimore që duhet të hetojnë akuzat dhe arsyet mbi të cilat ai u gjet në listën e zezë. Atë që ai e tha sot në mëngjes, në fakt e kam thënë që ditën e parë se komuna duhet të jetë menjëherë në dispozicion, të bëhen të gjitha kontrollet”, ka thënë Kovaçevski duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve në Sveti Nikollë.

Ai shtoi se është mirë që Prokuroria Publike tashmë ka krijuar komision që duhet ta hetojë rastin dhe në mënyrë të tillë institucionale duhet të funksionojë shteti.

“E përsëris, Qeveria nuk është as prokuror as gjykatës. Nuk do ta bëj atë që kanë bërë disa ish kryeministra, sepse duhet të shkojnë të jetojnë në vende të tjera”, ka thënë kryeministri Kovaçevski.

Exit mobile version