Site icon Telegrafi

Kovaçevski për Klinikën e Onkologjisë: Përgjegjësit kanë emër dhe mbiemër

Për Kryeministrin Dimitar Kovaçevski njoftimet për abuzime në klinikën e onkologjisë, janë të tmerrshme, por ai nuk kishte përgjigje konkrete se pse institucionet nuk ka reaguar shumë më herët për këtë rast, kur mediat kanë njoftuar që nga viti i kaluar.

Kreu i qeverisë tha se përshëndet aksionin e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Prokurorisë në Klinikën e Onkologjisë. Ai kërkoi që për kërë rast të mos fajësohet i gjithë personeli mjekësor, pasi se krimi ka emër dhe mbiemër konkret dhe se duhet të ketë përgjegjësi për çdonjërin të përfshirë në skemat e rënda të krimit.

“Çdo krim ka emër dhe mbiemër, ka përgjegjësi dhe detyra e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe prokurorisë është të sigurojë dëshmi në bazë të të cilave do të sigurohen kryerësit, por e përsëris edhe një herë se nga ana e kryetarit të Qeverisë dhe nga Qeveria nuk do të ketë asnjë lloj intervenimesh në mbrojtje të askujt për shkak se bëhet fjalë për dyshime të tmerrshme të cilat janë nën hetim të Prokurorisë dhe Ministrisë së Brendshme”, tha Dimitar Kovaçevski, kryeministër.

Kryeministri tha se për momentin në klinikën e Onkologjisë ka drejtor të ri i cili bashkëpunon me institucionet për hetimin e rasteve. Nga prokuroria publike ende nuk kanë dalë me të dhëna për rrjedhën e hetimeve pas aksionit të policisë që përfundoi me konfiskimin e kompjuterëve dhe materialit tjetër për ekspertizën e nevojshme. Aksioni pasoi shkrimet në mediat kohë më parë lidhur me pretendimet për abuzime të rënda me terapitë. Për punën e kësaj klinike, respektivisht keqpërdorimet me terapitë kishte raportuar Alsat qysh vitin e kaluar. Pas aksionit të MPB-së të premten, në opinion tani tre ditë ka reagime të shumta të qytetarëve të cilët kanë humbur familjarët e tyre për shkak të mungesës së terapive kundër kancerit në Klinikën e Onkologjisë si dhe një sërë shoqatash joqeveritare. Disa nga qytetarët madje shkruajnë se shumë të sëmurë nuk kanë marrë fare terapi, pasi u është thënë se ka mungesë të barnave adekuate, ndërsa dita pacientë u është dhënë ujë i përzier me kripë. Në rrjetet sociale, po ashtu, për nesër paralajmërohet edhe protestë për në ora 18.00, me mbishkrimin “Protestë kundër vrasjeve të organizuara në onkologji!”.

Exit mobile version