Site icon Telegrafi

Kovaçevski për dokumentet e reja: Pasi të bisedojmë me Greqinë, do të vendosim për shtyrje të afatit

“Shtyrja eventuale e afatit për ndërrimin e letërnjoftimeve dhe dokumenteve të udhëtimit do të presë epilogun e bisedës së presidentit Stevo Pendarovski me presidenten greke, Katerina Sekellaropulu”.

Kështu u përgjigj kryeministri Dimitar Kovaçevski, i pyetur për propozimin për shtyrje të afatit të vlefshmërisë së dokumenteve me emrin e vjetër të shtetit. Kovaçevski shtoi se organet kompetente do të mund të veprojnë pasi të marrin informacione nga presidenti.

“Kur të bisedojë presidenti Pendarovski me presidentin grek, ai do të na informojë dhe ne do të mund të veprojmë”, u përgjigj shkurt kryeministri Kovaçevski.

Presidenti i shtetit Stevo Pendarovski kërkoi shtyrjen e afatit deri në shtator.

“Po i bëj propozim publik Qeverisë që ligji për dokumente të udhëtimit të zgjatet deri në shtator, duhet t’i mbrojmë qytetarët – nuk ka kuptim të vazhdohet me kaosin me lëshimin e dokumenteve të reja”, tha Pendarovski.

Ndryshe, afati i fundit deri kur vlejnë dokumentet e vjetra është 12 shkurti. Kjo ka shkaktuar kaos para institucioneve kompetente për lëshimin e dokumenteve të reja, në të cilat janë mbledhur turma të mëdha të qytetarëve./Telegrafi/

 

Exit mobile version