Kryeministri Dimitar Kovaçevski në seancën e sotme të pyetjeve parlamentare theksoi se nënshkrimi i Marrëveshjes së Përgjithshme Kolektive është një arritje që qeveritë e mëparshme e kanë planifikuar, por kjo Qeveri e ka realizuar, përcjell Telegrafi Maqedoni.
“Për herë të parë, pas 15 vitesh, së bashku dhe në të njëjtën tavolinë, sindikatat dhe përfaqësuesit e qeverisë dhe të gjithë palët e interesuara këtu, e kam fjalën mbi të gjitha shoqatat e punëdhënësve, arritën një marrëveshje që siguron një zgjidhje afatgjatëe. Kjo zgjidhje, për kënaqësinë time të madhe, nuk do të varet kurrë nga vullneti i mirë i politikanëve, partive politike, as tani dhe as në të ardhmen, duke qenë se marrëveshja e përgjithshme kolektive përmban një metodologji për rritjen e vazhdueshme dhe harmonizimin e pagave të punëtorëve në sektorin publik.
Rritja e pagave garantohet me këtë marrëveshje të përgjithshme kolektive të punonjësve të sektorit publik. Ne kemi dhënë një zgjidhje sistematike që siguron rritjen e pagave.
Të gjithë të punësuarit në agjencitë e shumta, fondet, komunat, shkollat, çerdhet dhe të gjitha institucionet e tjera nga sektori publik, nga shtatori i këtij viti do të kenë rritje të pagave prej 10%.
Gjithashtu, është planifikuar të paguhet kompensimi për pushim vjetor për vitin 2023 në shumë prej 10.000 denarë, i cili do të paguhet deri në fund të vitit. Nga viti 2024 e tutje, në Marrëveshjen e Përgjithshme Kolektive është rënë dakord që pagesa vjetore për pushime të jetë së paku 30% e pagës mesatare neto të paguar në periudhën paraprake”, tha Kovaçevski.
Kryeministri nënvizoi se është arritur edhe futja e Metodologjisë së re të Pagave me koeficient sipas pagës mesatare bruto nga marsi i vitit 2025./Telegrafi/