Kryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, ka takuar zëvendësndihmës sekretarin e shtetit të SHBA-së për çështje evropiane dhe euroaziatike dhe përfaqësuesin special për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar, i cili sivjet po merr pjesë në Forumin e Dialogut të Prespës në Ohër.
Në takimin ku mori pjesë zv. kryeministri i ngarkuar për çështje evropiane, Bojan Mariçiq, të cilët konstatuan se marrëdhëniet ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe SHBA-së janë në përmirësim të vazhdueshëm, gjë që u konfirmua me fillimin e procesit të dialogut strategjik në Uashington në 2 qershor 2022.
Vlen të përmendet se gjatë bisedës u theksua se Maqedonia e Veriut është vendi i parë në Ballkanin Perëndimor që nis dialogun strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës si fazë tjetër e avancuar në bashkëpunimin politik dhe ekonomik duke identifikuar projekte dhe iniciativa të reja me interes të përbashkët.
Në takim, Kovaçevski dhe Escobar diskutuan për situatën aktuale në botë, krizën e shkaktuar nga agresioni ushtarak i Rusisë ndaj Ukrainës, e cila edhe një herë vlerësohet si e pajustifikuar dhe e paprovokuar dhe jashtëzakonisht e rëndë për sigurinë ndërkombëtare.
Në bisedë me Escobar, kryeministri Kovaçevski theksoi se Maqedonia e Veriut vazhdon të zbatojë angazhimet strategjike politike për të mbështetur proceset për pjesëmarrje aktive të Maqedonisë së Veriut në operacionet e NATO-s, si dhe për të përshpejtuar integrimin e Maqedonisë së Veriut në BE.
Gabriel Escobar theksoi nevojën për fillim të menjëhershëm të negociatave për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut me BE-në dhe theksoi mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për gjetjen e zgjidhjeve të pranueshme reciprokisht për çështjet dypalëshe me Republikën e Bullgarisë.
Çdo vonesë e mëtejshme në këtë proces, theksuan të dy bashkëbiseduesit, shkakton pasoja të rënda rajonale dhe inkurajon rreziqet e rritjes së ndikimit të palëve të treta.
Kryeministri Kovaçevski në takim, vuri në dukje përfitimet e nismës “Ballkani i Hapur”, të cilën, siç theksoi zëvendësndihmës i Sekretarit të shtetit Eskobar, Shtetet e Bashkuara të Amerikës e mbështesin plotësisht dhe e vlerësojnë si veçanërisht të rëndësishme për zhvillimin rajonal dhe përshpejtimin e integrimeve evropiane të vendeve nga Ballkani Perëndimorë./Telegrafi/