Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, deklaroi se qëndrimi i qeverisë së tij për pjesëmarrjen e Maqedonisë së Veriut në iniciativën rajonale “Ballkani i Hapur” nuk ka ndryshuar dhe se ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, prezantoi “qëndrimin partiak” për këtë çështje.
“Qëndrimi i Qeverisë mbetet i pandryshuar se si vend kemi një rol konstruktiv dhe pjesëmarrje në të gjitha nismat rajonale, duke përfshirë Ballkanin e Hapur përderisa këto nisma sjellin përfitime konkrete për qytetarët, për shtetet, për ekonomitë, për bizneset e vendeve që janë pjesë e tyre”, tha Kovaçevski.
Kryeministri theksoi se deklarata e Osmanit se Shkupi duhet të rishqyrtojë pjesëmarrjen në iniciativën rajonale “Ballkani i Hapur” nëse vërtetohet se Serbia ka qenë e përfshirë në sulmin në veri të Kosovës, “është dhënë nga posti i nënkryetarit të një partie politike”.
Kovaçevski theksoi se paqja dhe stabiliteti janë thelbi i çdo nisme rajonale, qëllimi i së cilës është në radhë të parë prosperiteti ekonomik, por edhe tejkalimi i kufizimeve dhe sfidave ndërmjet vendeve.
“Ne jemi të bindur dhe themi se Serbia dhe Kosova duhet të jenë për paqen dhe duhet të bëjnë gjithçka për të bërë lëvizjet e duhura, për të ndërmarrë hapat e duhur për të ardhmen e sigurt të qytetarëve, popujve të tyre, por edhe për stabilitetin e gjithë rajonit”, tha Kovaçevski.
Ai theksoi se Maqedonia e Veriut është shembull i qartë i zgjidhjes së të gjitha çështjeve të hapura të brendshme, si dhe mosmarrëveshjeve me fqinjët, përmes dialogut aktiv dhe të hapur.
Ai shtoi se, nëse nuk ka paqe, nuk do të ketë “Ballkan të Hapur”, nuk do të ketë proces të Berlinit dhe do të jetë e nevojshme të rishikohen organizatat ndërkombëtare dhe iniciativat e tjera që përfshijnë një numër vendesh, si OSBE-ja.