Mbrojtësi i Napolit, Kalidou Koulibaly, ka thënë se nuk është i sigurt nëse edhe në sezonin e ri do të qëndrojë te napolitanët, derisa ka zgjuar interesimin e disa skuadrave nga Liga Premier.
Manchester Unitedi dhe Manchester City thuhet se janë të interesuar në transferimin e 28-vjeçarit, që aktualisht po luan për Senegalin në Kupën e Kombeve në Afrikë.
Dy skuadra nga qyteti i Mançesterit ka kohë që janë të interesuar në transferimin e Koulibalyt, ndërsa nëse dështojnë, do ta kthejnë interesimin në Harry Maguiren e Leicester Cityt.
“E ardhmja ime? Nuk e di (nëse do të qëndroj te Napoli edhe vitin tjetër)”, ka thënë senegalezi në një intervistë për Goal.com.
“Të gjithë po flasin për të ardhmen time, por unë mund t’ju flas vetëm për Senegalin, pasi ky është objektivi im për sot dhe dua të arrij diçka të madhe me kombëtare”, ka shtuar më tej ai.
Koulibaly u transferua te Napoli në vitin 2014 nga Genk, ndërsa është bërë njëri ndër mbrojtësit më të mirë në botë, duke zgjuar kështu interesimin e shumë skuadrave evropiane. /Telegrafi/