Kalidou Koulibaly pranon se Napoli mund të kishte bërë më shumë në barazimin e tyre 1-1 me Interin, por do të vazhdojë të besojë në ëndrrën e tyre për Scudetto.
Napoli kishte kaluar në epërsi të hershme përmes penalltisë së Lorenzo Insigne, por nuk e shfrytëzuan më shumë dominimin e tyre në pjesën e parë dhe në fillim të pjesës së dytë, Edin Dzeko shënoi për 1-1.
“Mendoj se mund të kishim bërë më shumë, pasi shkuam pak më thellë në pjesën e dytë dhe Dzeko shënoi një gol tepër të vështirë nga ai kënd”, ka thënë fillimisht Koulibaly për DAZN.
“Ne ishim pak të ngadaltë pas rifillimit dhe mund të kishim bërë më mirë, por nuk mund të jemi shumë të pakënaqur, sepse një pikë kundër Interit është ende një rezultat i rëndësishëm”.
“Duhet të vazhdojmë të besojmë sepse kemi bërë mirë deri tani. Është për të ardhur keq, sepse pa atë gol, mendoj se mbajtja e portës së pastër do të na kishte sjellë fitoren në shtëpi. Nuk duhet të dorëzohemi kurrë, kjo është gjëja e rëndësishme”.
Kjo ishte ndeshja e parë e Koulibalyt që nga dhjetori, pasi ai ishte në Kupën e Kombeve të Afrikës, duke e çuar Senegalin në triumfin e tyre të parë ndonjëherë në këtë turne.
“Ishte paksa një javë e çuditshme, isha në Senegal të hënën, sot jam këtu duke luajtur për Napolin. Ishte një surprizë e bukur të më prisnin në aeroport, shkova direkt në terrenin e stërvitjes, pasi mezi prisja të shihja shokët e skuadrës”.
“Tani duhet të bëjmë realitet ëndrrat e Napolit. Do të jetë e vështirë, por tifozët duhet të dinë që ne do të japim 200 për qind”.
“Unë jetoj në të tashmen, ne kemi një garë deri në fund të ligës dhe të paktën duam të përfundojmë në top katërshen dhe çdo gjë më shumë është një bonus, por ne do të punojmë shumë për të arritur titullin, i cili është atë që ne të gjithë duam”, përfundoi mbrojtësi i Napolit. /Telegrafi/