Për ish-kryeadministratorin e OKB-së në Kosovë, Bernard Kouchner, Gjykata speciale për Krimet e supozuara të Luftës nuk e dëmton imazhin e Kosovës.
Duke folur në një intervistë pas marrjes së titullit “Honoris Causa” nga Universiteti Europian i Tiranës, ish-ministri i Jashtëm francez tregon sesi e sheh Kosovën pas 17 vitesh.
“A e dini se, për krimet e Luftës së Dytë Botërore në vendin tim nuk është vendosur ende, edhe 70 vite pas luftës?! Ndaj, edhe për Kosovën nuk është një situatë e përkryer. Por, nëse historianët apo gjykatësit do të qartësojnë më shumë se çfarë ka ndodhur gjatë luftës, kjo është një gjë e mirë. Thashë që kjo nuk është një situatë e përkryer, mrekullitë nuk zbresin nga qielli. Përgjithësisht OKB-ja nuk mburret me histori suksesi, por Kosova ishte një e tillë”, tha Bernard Kouchner.
Kouchner mbahet mend për deklaratat e tij të forta, kundër dyshimeve për trafik organesh në Kosovë gjatë luftës. Pavarësisht krizave politike nga shënimi i vijës kufitare me Malin e Zi dhe formimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, ish-shefi i UNMIK-ut vazhdon të mendojë se Kosova ishte shembull i zgjidhjes së konflikteve midis popujve.
“Unë vendosa mundësinë e paqes dhe kjo është një kohë paqeje. Sigurisht ka tensione, ka në Mitrovicë në urën e Ibrit, por nuk mund të shkatërrosh që të shpëtosh nga urrejtja. Kjo kërkon kohë, një, dy apo 3 breza. Më vjen keq, por e kam parë këtë kudo në botë. Lufta është e tmerrshme. Vuajtjet po ashtu. Ndaj është më mirë të luftosh për paqen, sesa për luftën. Unë them që Kosova është përmirësuar. Serbët vizitojnë manastiret. Nuk është e lehtë, por është e mundur. Po e shohim ç’po ndodh në Lindjen e Mesme. Ndaj Kosova ishte shembulli i zgjidhjes më të mirë”, deklaroi më tej Kouchner.
Edhe pse nuk hyn në detaje mbi çështje të brendshme të politikës së ditës në Tiranë e Prishtinë, Kouchner thotë se progresi është i dukshëm. Ndërsa nga koha, kur Kosova e sapodalë nga lufta i besonte të ardhmen, duket se Kouchnerit i ka mbetur vetëm një dëshirë.
“Mbaj mend që kosovarët nuk më kanë ftuar ndonjëherë për darkë në shtëpitë e tyre (qesh)”, tha ish-ministri i Jashtëm francez.