Site icon Telegrafi

Kotzias: Shpresojmë të mbyllim çështjet e hapura me fqinjët

Ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Kotzias, si dhe Komisioneri europian për Zgjerimin, Johannes Hahn, kanë pasur një takim në kryeqytetin grek, ku kanë diskutuar për rolin kyç të Greqisë në çështjet e zgjerimit të BE-së, e konkretisht për vendet kandidate si Shqipëria dhe Maqedonia.

“Shpresoj se sllogani, që thotë se ‘historia nuk duhet të jetë burgu ynë, por shkolla jonë’, të provohet në praktikë”, ka deklaruar ministri i Jashtëm grek. “Gjykimi ynë është se duam të zgjidhim problemet dhe më pas të jemi ura të fuqishme në ecurinë europiane të Shqipërisë në BE. Nuk na ndajnë probleme kaq të mprehta, saqë nuk mund t’i zgjidhim”, ka thënë Kotzias.

Për sa i përket publikimeve që Athina dhe Shkupi kanë rënë dakord për një emër të ri të fqinjit verior të Greqisë, Kotzias ka dënuar edhe njëherë papërgjegjshmërinë në trajtimin e çështjeve të tilla nga media të caktuara.

“Edhe takimi midis dy kryeministrave Zaev dhe Tsipras do të bëhet vetëm nëse do të jetë zgjidhur çështja e emrit”, ka thënë Nikos Kotzias.

Exit mobile version