Kontesti i emrit të Maqedonisë, Turqia dhe Qipro kanë qenë çështjet kryesore të diskutuara dje në Athinë nga Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri Federica Mogherini me kryeministrin grek Alexis Tsipras dhe Ministrin e Jashtëm Nikos Kotzias.
Pas takimit me Kotzias-in, Mogherini theksoi rëndësinë e Ballkanit dhe tha se rajoni do të jetë prioritet për Unionin.
Ajo shprehu besimin se në muajt e ardhshëm do të ketë më shumë mundësi për të bërë përparim në bisedimet mes Athinës dhe Shkupit mbi kontestin e emrit, si dhe midis Prishtinës dhe Beogradit në lidhje me vështirësitë që i kanë dy vendet mes vete.
Kotzias tha se Greqia mbështet plotësisht përpjekjet e BE-së për pranim të Ballkanit Perëndimor në familjen evropiane. Ai përsëriti se Athina mbështet qëllimin e Shkupit për aderim në BE, sapo të zgjidhet çështja e emrit. Kocias ka shtuar se “shpreson që zgjidhja e çështjes së emrit tani do të jetë më e lehtë se sa në të kaluarën, me ndryshimin e qeverisë në Maqedoni.”/Alsat-M/