Protesta për çështjen e emrit të Maqedonisë që u zhvillua të dielën, në Selanik nuk do të ndikojë në negociatat me Maqedoninë, deklaroi dje në Bruksel ministri i Jashtëm grek, Nikos Kotzias.
”Pjesëmarrja e madhe në protestë ishte një pasqyrim i funksionit të demokracisë greke dhe i shqetësimit për shumë shtetas grekë që ndonjëherë krahasojnë gabimisht negociatat për emrin e Maqedonisë me fatin e Maqedonisë greke, dhe ky ishte një manifestim që zhvillon më tej format e diskutimeve publike, ndonjëherë të drejta, ndonjëherë jo. Nuk besoj se kjo protestë mund të ushtrojë ndonjë ndikim mbi negociatat për çështjen e emrit dhe irredentizmin e Maqedonisë”, ka thënë Kotzias.
Sipas raportimeve të policisë greke, në protestën e zhvilluar në sheshin kryesor të qytetit verior të Selanikut, merrnin pjesë rreth 90 000 persona.