Site icon Telegrafi

Kotzias optimist, pret që çështja e emrit të zgjidhet deri në qershor

Kreu i diplomacisë greke, Nikos Kotzias në një intervistë për agjencinë Reuters shprehu bindje se deri në muajin qershor do të zgjidhet çështja e emrit dhe tha se zgjidhja është në interes edhe të Greqisë dhe të rajonit, përcjell Telegrafi Maqedoni.

“Në jetë, Leka i Madh…dëshmoi se duhet të priten Nyjet Gordiane. Në një çast, duhet të përfundojmë me çështjet e tilla. Duam ta zgjidhim. Kjo është në interesin tonë kombëtar dhe në interes të rajonit, për qëndrueshmëri, siguri dhe rritje ekonomike”, thotë Kotzias, duke shtuar se ekziston momentum i ri pas ndryshimit të pushtetit në Maqedoni, ndërsa e përmendi edhe marrëveshjen e përgatitur që Greqia planifikon të ja dërgojë Maqedonisë.

Në intervistë, Kotzias e përsëriti atë që e tha të martën pas takimit me Nimetz, se marrëveshja nuk do të jetë tekst që do t’i përmbajë vetëm qëndrimet e Greqisë, e as marrëveshje përfundimtare, por do të jetë bazë mbi të cilën do të mund të fillojë bashkëpunimi.

Në shkrimin e Reuters përmendet edhe dështimi i Qeverisë greke në formimin e përkrahjes politike për negociatat, ndërsa Kotzias për mungesën e përkrahjes tha: “Të ju them një paradoks, nëse nuk arrihet marrëveshje tani, cili emër mbetet?”.

“Në nivel ndërkombëtar, do të mbetemi në termin “Maqedoni”, pra nuk do të kemi asnjë dobi, ndërsa në marrëdhëniet tona dypalëshe mbetemi me “Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë”, u shpreh Kotzias, duke shtuar se vetëm gënjehemi me akrobaci gjuhësore, sepse emri do të përmbajë termin ‘Maqedonia’, do të jetë emër i përbërë me definicion kronologjik./Telegrafi/

Exit mobile version