Ekziston shumicë e deputetëve për votimin e marrëveshjes, sipas asaj që vet e kanë deklaruar, thotë Ministri për Punë të Jashtme i Greqisë, Nikos Kotzias në intervistë për radion greke “Sto Kokino”, duke refuzuar të komentojë qëndrimet e partnerit të qeverisë, Panos Kammenos.
“Nuk kam asnjë qëllim të komentoj Kammenosin, nuk është punë e imja. Marrëveshja është e mirë, nuk shkelet sovraniteti kombëtar që marrëveshja të votohet me 180 deputetë në Kuvend. Kammenosi ka njohuri për këto punë dhe po bën zgjedhje politike”, deklaroi shefi i diplomacisë greke, Nikos Kotzias, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Siç raportojnë nga AIM, Kotzias duke biseduar për zgjidhjen e çështjes së emrit mes Maqedonisë dhe Greqisë tha se marrëveshja nuk është arritur për shkak të anëtarësimit të Maqedonisë në BE dhe NATO, por se është interes kombëtar edhe për Greqinë.
“Ne e zgjodhëm problemin për shkak se konsiderojmë se është interes kombëtar, pavarësisht a ekzistojnë BE-ja dhe NATO-ja, ne zgjedhim problemet që na mbajnë në “robëri” në histori, për të mundur që bashkërisht me popujt tjerë të shohim të ardhmen. Kemi dy opsione. Cilat janë opsionet tona? A duam që në veri të kemi miq apo armiq? E dyta: Konsiderojmë se problemet që i kemi me fqinjët në veri janë më të mëdha se sa problemet gjeopolitike dhe gjeopolitike me Turqinë? T’i zgjedhim çështjet me Turqinë dhe t’i koncentrojmë forcat tona drejt Shkupit ose t’i zgjedhim problemet me Shkupin që t’i koncentrojmë forcat tona për çështjen që një shekull quhet “çështja e lindjes”?, tha Kotzias në intervistë.
Ai shtoi se në fillim të bisedimeve, sipas hulumtimeve, opinioni publik ka qenë 80% kundër, kurse tash shumica e qytetarëve e përkrahin marrëveshjen e arritur./Telegrafi/