Problemet ndërshtetërore janë të pranishme në Ballkan, andaj për to duhet të gjendet zgjidhje, konsideron ministri i jashtëm grek Nikos Kotzias.
Në takimin e djeshëm në Selanik, Kotzias theksoi se Greqia në të kaluarën ka treguar sjellje arrogante, por se tani ajo punon në integrimin e rajonit në Bashkimin Evropian dhe në NATO.
Ai thotë se duhet të punohet në drejtim të gjetjes së një kompromisi të përbashkët dhe potencoi se shtetet dhe njerëzit nuk duhet të kenë frikë nga fjala “kompromis”.
“Që këto kompromise të mos dështojnë, ato duhet të bazohen në parimet e së drejtës ndërkombëtare dhe në parakushtet e vendosura nga Bashkimi Evropian për mirëbesim dhe miqësi reciproke”, tha Nikos Kotzias.
Duke iu përgjigjur pyetjes se a ka deklaruar se Athina, përveç çështjes së emrit të Maqedonisë, konteston edhe gjuhën dhe kombin maqedonas, siç raportonin mediat greke, Kotzias u përgjigj se për problemin me emrin apo me gjithçka që ka të bëjë me të, nuk ka biseduar me askënd.