Site icon Telegrafi

Kostot ekonomike të koronavirusit dhe masat që mund të merren

Epidemia e koronavirusit po ndryshon në mënyrë të shpejtë kushtet sanitare, sjelljet e njerëzve, relacionet sociale dhe aktivitetet ekonomike.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, në 52 ditët e para të epidemisë kemi mbi 133 mijë të prekur dhe mbi 5000 të vdekur. Çdo person i prekur infekton mesatarisht nga dy deri në katër persona të tjerë.

Nëse në Kinë kemi pothuajse një frenim të ndjeshëm të përhapjes së epidemisë (falë masave të rrepta të ndërmarra), në Itali që është vendi i dytë më i prekur, numri i personave të infektuar ka kaluar mbi 15000 mijë (1800 të vdekur) me një rritje eksponenciale nga dita në ditë.

Sipas disa përllogaritjeve, numri i të prekurve në 123 shtete që ka hyrë virusi mund të shkojë deri në 70 për qind të popullsisë. Pasojat e kësaj epidemie do të jenë jo vetëm shëndetësore dhe në jetë njerëzish por edhe ekonomike, këto të fundit mund të vazhdojnë për muaj të tërë.

Nëse do të bënim një analogji me krizën financiare të 2008, mund të themi se kjo e fundit ishte një krizë kërkese, ndërsa kriza nga koronavirusi në çdo vend të botës ka shkaktuar një rënie të ndjeshme të ofertës e shoqëruar me rënie të ndjeshme të kërkesës (mbyllja e bizneseve dhe mbyllja e njerëzve në shtëpi të cilët nuk punojnë dhe një pjesë e mirë nuk merr as rroga). Pra, kemi të bëjmë me një krizë kërkese plus krizë oferte. Në 2008 bursat humbën 50 për qind të kuotave, ndërsa sot kriza duket po aq e “frikshme”, nga 19 shkurti deri më sot Bursa e Wall Street ka humbur mbi 25 për qind, Londra ka humbur 28 për qind ndersa bursa e Milanos mbi 40 për qind.

Për 2020, rritja e PBB-së së Kinës pritet të tkurret ndjeshëm (ka shpenzuar deri tani mbi 60 miliardë dollarë e me shumë gjasa humbjet totale do të shkojnë mbi 220 miliardë dollar – sa 1,5 për qind e PBB).

OSBE parashikoi një reduktim të rritjes ekonomike të botës me 0.5 për qind nga 2.9 për qind që ishte parashikuar në nëntor të 2019.

Italia pritet të kenë një rënie me pesë për qind të PBB-së; Confindustria italiane llogarit një humbje të kapacitetit prodhues me 20 për qind po aq sa edhe në krizën e 2008.

Sa i përket Shqipërisë, kemi një reduktim të ndjeshëm të qarkullimit ditor të ekonomisë me një vlerë të përllogaritur nga revista monitor me gati 25 milionë euro në ditë.

Nëse situata do të vazhdojnë kështu deri në 10 prill pritet që humbjet nga koronavirusi të shkojnë 775 milionë euro apo mbi pëes për qind e PBB-së.

Sa u përket eksporteve shqiptare, rreth 50 për qind janë produkte tekstile që shkojnë kryesisht në Itali, vendi i dytë më i prekur nga koronavirusi, në të tilla kushte do të kemi një frenim të eksporteve (91 miliardë lek ishin eksportet e tekstileve dhe këpucëve për 2019 dhe 40 miliardë lekë ishin importet për lëndët e para të produkteve në fjalë).

Nga ana tjetër lënda e parë vjen nga Kina (59.7 miliardë lekë ishin importet shqiptare nga ky vend në 2019) dhe Italia, vende të prekura nga epidemia, përsëri do të kemi frenim në importeve për mos të thënë pezullim ose një alternativë tjetër është ndryshim furnitorësh tashmë jo më me origjinë kineze po nga Turqia, kjo sjell rritje të kostove.

Kemi frenim të investitorëve të huaj që kanë pezulluar gjithçka dhe frenim të investitorëve vendas pasi teknologjia blihet jashtë e shumë fabrika në Kinë, Itali apo Gjermani kanë pezulluar prodhimin.

Sektor tjetër që do të preket është turizmi ku që tani kanë filluar anulimet e prenotimeve. Turizmi u konsiderua si një ndër sektorët më dinamikë të ekonomisë shqiptare për 2019. e më shumë gjasa nuk do të jetë më i tillë për 2020.

Por, mbi të gjitha do të preken me dhjetëra-mijëra familje shqiptare që janë të vetëpunësuar, apo të punësuarit e pa kualifikuar që çojnë mbi 90 për qind të rrogës për konsum, këta persona e kanë të pa mundur të jetojnë pa rrogën mujore (rreth 500 mijë shqiptare jetojnë me më pak se pesë dollarë në ditë).

Nisur nga situata e mësipërme pritet që qeveria shqiptare ashtu si vendet e tjera (Banka Qendrore e SHBA-ve uli normën e interesit me 0.5 për qind ndërkohë do të injektojë edhe 1500 miliardë dollarë; Banka Qendrore Evropiane do injektojë 120 miliardë euro, Italia 25 miliardë euro, Gjermania 500 miliardë euro) të marrë një sërë masash si:

Emetim parash (politikë monetare ekspansive) duke parë që edhe inflacioni është shumë i ulët, mund të fillohet me 10 miliardë lekë, kjo lloj manovre nuk do të kishte impakt në rritjen e borxhit;

– Menaxhimi i mirë i shpenzimeve: vendi ynë edhe në këto kohë, shpenzon me 100 miliona lek për stola, për makina të reja luksi me qera apo tendera pa impakt ekonomik;

– Rishikimi i buxhetit dhe rialokim i fondeve;

– Anulimin e të gjitha projekteve me PPP që nuk kanë filluar punën, jemi në një emergjencë kombëtare;

– Rinegocim i çmimeve koncesionare siç është sterilizimi. Marrjen e masave për anulimin e konçesioneve si check-up apo ngjyrosja e naftës;

– Pezullimi i pagesës së taksave dhe kontributeve për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore për të gjithë ato biznese që kanë mbyllur apo pezulluar punën.

– Asistencë sociale deri në 80 për qind të pagës për të gjithë ata persona që nuk punojnë për arsye të mbylljes së aktiviteteve prodhuese apo tregtare.

– Krijimin e një fondi për suportin e familjeve në vështirësi ekonomike që tash janë mbyllur brenda.

Exit mobile version