Telegrafi

Kostiq që sulmoi Petroviqin, del në krah të zëvendësministres së shkarkuar si anti NATO

Zyrtari i Listës Serbe, Milan Kostiq, që sulmoi para ca ditësh kreun e SLS-së, Sllobodan Petroviqin, sot ka vazhduar ta përkrahë zv.ministren e shkarkuar të Drejtësisë Vesna Mikiq për qëndrimin kundër NATO-s.

Në një koment në Facebook, Milan Kostiqi, kritikon Qeverinë e Republikës së Kosovës dhe botën që po e përkrah shkarkimin e Vesna Mikiqit, duke thënë ndër të tjera se “paramendojeni që dikush nuk ka të drejtë ta thotë të vërtetën në publik dhe është gabim i saj që ka thënë se populli i saj ka vuajtur nga bombat e NATO-s. Kjo është turp për të gjithë botën që e përkrah këtë sistem në Kosovë”.

Ndryshe, kryeministri Ramush Haradinaj ka shkarkuar sot zëvendësministrën në Ministrinë e Drejtësisë, Vesna Mikiq.

Haradinaj në llogarinë e tij në Facebook ka publikuar vendimin për shkarkimin e Mikiq. Ai ka shkruar se në Qeverinë dhe institucionet e Republikës së Kosovës, nuk kanë vend individët, pavarësisht përkatësisë etnike, që denigrojnë vlerat e përbashkëta euro-atlantike. /kp/Telegrafi/