Kosta Rika karakterizohet me plazhe të mbushura me turistë, male dhe kafshë të ndryshme, gjithashtu është e njohur për një demokraci të qëndrueshme dhe popullatë të arsimuar.
Ky vend konsiderohet si një nga vendet më të lumtura, kurse presidenti i saj thotë se këtij fakti i ka prirë ideja që kanë hequr dorë nga formimi i ushtrisë, transmeton Telegrafi.
“Shtatëdhjetë vjet më parë, Kosta Rika e hoqi ushtrinë. Kjo u lejon qytetarëve të bëjnë shumë gjëra tjera. Tetë për qind e buxhetit investohet në arsim, pasi nuk kemi nevojë të shpenzojmë në ushtri. Fuqia jonë është talenti njerëzor dhe mirëqenia”, ka deklaruar presidenti i Kosta Rikës, Carlos Alvardo Kesad në samitin e Davosit.
Fakti që nuk kanë nevojë të shpenzojnë para për forcat e armatosura, kjo u lejon atyre të merren me mbrojtjen e mjedisit. Kosta Rika prodhon më shumë se 99 për qind të energjisë elektrike nga burimet e ripërtërishme siç janë hidrocentralet.
Edhe pse konsiderohet e arritur e madhe, energjia elektrike paraqet vetëm një pjesë të vogël të shpenzimit në këtë vend, pasi që shumica e shtëpive përdorin gazin për ngrohje dhe derivate të ndryshme për vetura.
Megjithatë, cilësia e ajrit në Kosta Rika si në shumë vende të botës është shqetësuese, kurse disa pjesë të qytetit San Hoze kalojnë kufijtë e organizatës botërore të shëndetësisë sa i përket ndotjes së ajrit.
Qeveria e Kosta Rikës ka shfrytëzuar mbledhjen e taksave për shitjen e lëndëve djegëse fosile, me qëllim që të mund të paguaj për mbrojtjen e pyjeve.
“Në vitet e ’80-ta pamë se pyjet u zvogëluan në 20 për qind për shkak të prerjeve ilegale të drunjve. Kemi arritur ta rikthejmë këtë përqindje, kurse me këtë po mundohemi të luftojmë kundër ndryshimeve klimatike”, ka shtuar presidenti i këtij vendi.
Sipas tij këto përpjekjeve u kanë ndihmuar ta forcojnë ekonominë e Kosta Rikës.
“Shumë njerëz thonë se mbrojtja e mjedisit është e destinuar kundër ekonomisë. Në fakt, është plotësisht e kundërta. Turizmi ynë është rritur pikërisht për shkak të kësaj”, ka shtuar Kesad.
Sipas Indeksit të “planetit të lumtur”, si rezultat i këtij fakti Kosta Rika është një nga vendet më të lumtura dhe më të qëndrueshme në botë.
Ky indeks është publikuar katër herë nga viti 2006 dhe merr parasysh mirëqenien dhe jetëgjatësinë e popullsisë. E në këtë listë Kosta Rika është gjendur katër herë në krye të saj. Kosta Rika është një vend që i përket një grupi me njerëzit më të moshuar, dhe jetëgjatësia është 78 vjet.
Mirëqenia e Kosta Rikës i atribuohet gjithashtu kulturës dhe krijimit të rrjetit të shoqërisë, familjeve dhe fqinjëve. E në anën tjetër, edhe në këtë vend jo gjithçka lulëzon, shkalla e vrasjeve në Kosta Rika gjatë vitit 2017, ishte arritur në 12.1 vrasje në 100 mijë banorë, që është dyfishi i mesatares botërore me 5.3. Si një arsye për këtë, presidenti i vendit thotë se shkalla e vrasjeve është shumë e lartë në Amerikën Latine.
“Pasiguria është e lidhur me pabarazinë. Amerika Latine është një nga rajonet me pabarazinë më të madhe në botë”, ka theksuar presidenti. /Telegrafi/