Por jo vetëm në Kosovë presin që xhudistja Majlinda Kelmendi të fitojë medalje në Lojërat e ardhshme olimpike që mbahen prej 5 deri më 21 gusht të vitit tjetër. Sajti i specializuar i xhudos "JudoInside" më herët ia ka parashikuar një medalje të bronztë, ndërsa sajti që bën analizë të detajuar për të gjitha sportet "infostradasports.com" ka parashikuar medalje të argjendtë për Kosovën, përkatësisht për Majlindën në kategorinë deri 52 kilogramë në xhudo.
"Infostrada Sports" çdo muaj del me një tabelë virtuale të medaljeve për Rio 2016, e që formulohet në bazë të ranglistave të ndryshme në sporte të ndryshme, si dhe në bazë të rezultateve të arritura nëpër gara të mëdha. Qëllimi i tabelës virtuale është që t’u shërbejë organizatave sportive, mediave, sponsorëve dhe të tjerëve që mund të jenë të përfshirë në ngjarjen më të madhe sportive.
Në publikimin për muajin dhjetor parashikohet që 86 vende të fitojnë medalje në Rio në verën e ardhshme. Me medalje të argjendtë të Kelmendit, ashtu si parashikohet, Kosova do të ndante vendin e 59-të në ranglistë.
Në fakt Majlinda ka munguar gati tërë vitin 2015 për shkak të lëndimeve. Ka munguar në kampionat botëror e kampionat evropian për çka nuk ka mundur të mbronte titujt në këto dy ngjarje të mëdha. Nëse do të ishte e gatshme dhe do të kishte formën e vitit të kaluar, Kelmendit me gjasë do t’i prognozohej medalje e artë.
Ajo tashmë e ka normën për pjesëmarrje në Lojëra Olimpike. Aktualisht është e treta në ranglistën botërore në kategorinë deri 52 kilogramë, pas rumunes Andreea Chitu dhe brazilianes Erika Miranda. Në ranglistën olimpike po ashtu është e treta, por pas Chitus dhe japonezes Misato Nakamura.