Hetimi i krimeve të luftës në Kosovë ka mbetur pothuaj i bllokuar për shkak të mungesës së bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në çështjen e drejtësisë, u tha sot në një konferencë në Prishtinë ku u prezantua një raport për gjykimin e rasteve të krimeve të luftës.
Raporti i Fondit për të Drejtën Humanitare (HLC) tregon për vështirësitë me të cilat ballafaqohen organet e ndjekjes në Kosovë kur është fjala për hetimin e këtyre krimeve.
Prokurorja në Prokurorinë Speciale të Kosovës, Drita Hajdari, tha në këtë konferencë se problem kryesor në ndjekjen e kwtyre veprave penale paraqet fakti se shumica e kryesve të krimeve të luftës gjenden jashtë Kosovës.
Ajo tha se problemet më të mëdha paraqiten kur është fjala e hetimit të të dyshuarve që jetojnë në Serbi, ndërsa lavdëroi shkallën e bashkëpunimit që autoritetet kosovare kanë me ato të Malit të Zi.
“Kemi zbuluar se për disa raste kanë filluar hetimet edhe në Serbi e edhe në Kosovë çka nga aspekti juridik është tejet e papranueshme sepse procesimi i këtyre rasteve të njëjta nga Kosova dhe nga Serbia përbën një pasojë tjetër juridike”, tha prokurorja Hajdari.
Por ajo tregoi pafuqinë e autoriteteve kosovare kur tha se prokuroria “nuk mund asgjë të bëjë asgjë” pasi që Serbia nuk lejon ekstradimin e qytetarëve të vet në Kosovë.
“Ky problem duhet të zgjidhet sa më parë duke mos humbur asnjë dite sepse ka kaluar shumë kohë. Mjaft kohë kemi humbur dhe drejtësia është vonuar”, shtoi ajo.
Edhe misioni i Bashkimit Europian për Sundim të Ligjit në Kosovë, EULEX, e pranoi se ka nevojë për një marrëveshje të tillë për shkak se në mandatin e këtij misioni nuk përfshihet ndjekja e të dyshuarve për krime lufte të cilët aktualisht jetojnë jashtë Kosovës.
“Bashkëpunimi në mes të dy komuniteteve është një çështje që duhet të adresohet. Pa një bashkëpunim të vërtetë mes gjyqësorit në Kosovë dhe shteteve të rajonit e veçanërisht me Serbinë ky do të vazhdojë të mbesë një problem në vazhdimësi”, tha Elka Filcheva Ermenkova, ushtruese e detyrës së Kryetares të Gjyqtarëve të EULEX-it.
Anka Kurteshi, koordinatore e projektit të Fondit për të Drejtën Humanitare “Koha kalon, Drejtësia për krime lufte zbehet” tha se viti 2016 nuk ka sjellë shumë optimizëm se drejtësia do të vihet në vend dhe se do të përmbushen pritjet e viktimave respektivisht familjarëve të tyre.
“Viti i kaluar ka qenë viti në të cilin kemi pasur numrin me të vogël të gjykimeve për krime të luftës që nga viti 2000”, tha Kurteshi.
Ndërsa ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha u zotua se do t’i japë prioritet luftimit të këtyre krimeve me mekanizma qe i ka në dispozicion.
Ajo tha se raporti i publikuar do t’u ndihmojë institucionet e Kosovës në luftën e tyre kundër kriminalitetit në përgjithësi e sidomos në luftën kundër krimeve të motivuara etnikisht e politikisht dhe në trajtimin e krimeve të luftës.
Ruairi O’Connell, Ambasador i Britanisë së Madhe në Kosovë, tha se ndjekja e krimeve të luftës do të duhej të bëhej prioritet. /Kallxo.com/