Site icon Telegrafi

Kosovën po e bllokon qeveria?!

Deri në fund të viteve të ‘90-ta të shekullit të kaluar, shoqëria kosovare ishte e fuqishme, edhe pse gjendej nën okupim, e shtypur dhe e rrezikuar si qenie njerëzore nga regjimi i Serbisë. Pas përfundimit të luftës, i ka humbur shkëlqimi, është zvetënuar, politizuar dhe po shkon drejtë “shkatërrimit”. Heshtë, edhe kur nuk duhet heshtur.

Kjo shoqëri nuk mundet në njërën anë, të ankohet se është lodhur nga kjo keqqeverisje, e në anën tjetër, të mos provojë ndryshimin e saj. Ose është e kënaqur me qeverisjen dhe duhet ta përkrahë, ose është e lodhur nga ajo dhe duhet ta largojë! Agonia nuk ndihmon në ecjen përpara, ajo vetëm të mashtron se po lëvizet tutje.

Dekadën e fundit kjo shoqëri nuk “po krijon, vetëm po reziston”, por edhe të “rezitoi” nuk do të mundet pafundësisht, sepse një ditë mbase i duhet të zgjohet për të “krijuar” një të ardhme ndryshe nga sa i është ofruar deri më tani! E derisa kosovarët hamenden se çfarë duhet të bëjnë me të ardhmen e tyre, qeveria nga ana e saj do të ndihet rehat dhe nuk do ta ndryshojë kursin politik, të paktën jo për mirë. Ajo vetëm sa do ta rris presionin mbi qytetarin, sepse duke e shtypur atë, mendon se mund të vazhdoi e qetë me kursin e saj qeverisës!

Qeveria e Kosovës do të vazhdoi të thirret në Kushtetutë dhe ligjet e saja, dhe për të nuk do të ketë rendësi se çfarë shkruan brenda saj, por sa mirë do të mund ta përdorë kundër palës tjetër. Dhe këtë e kupton, posa i dëgjon duke folur kryeministrin Hashim Thaçi dhe Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepin, që ngjanë në Aleksandër Lukashenkon (President i Bjellorusisë), dhe Anatoly Kuleshov (Ministër i Brendshëm në Bjellorusi), të cilët, sa herë ndihen të “kërcënuar” mobilizojnë policinë për t’i shtypur kundërshtarët politikë, duke shpifur armiq në emër të popullit! Ata nuk mund t’i kërcënohen palës tjetër me masa ligjore dhe kushtetuese, derisa nuk frikësohen vet nga këto masa.

Kjo qasje e qeverisë së Kosovës po na venë para dilemës, se çfarë shteti dhe shoqërie jemi duke ndërtuar dhe cilat janë parimet mbi të cilat dëshirojmë të udhëhiqemi në të ardhmen? A është parim i kësaj qeverie, por edhe politikës në përgjithësi, mosbindja ndaj vendimeve të institucioneve dhe Kushtetutës së Republikës së Kosovës? Kjo Qeveri duhet të mësohet me demokracinë! Ajo duhet të mësohet t’u bindet vendimeve kushtetuese që dalin nga Kuvendi i Kosovës, sepse pa respektimin e tri shtyllave kryesore të shtetit të së drejtës, (legjislativi-ekzekutivi-gjyqësori), vetëm sa do ta mashtrojmë vetëm se jemi një shtet demokratik. Kështu si po sillemi sot, Kosova më shumë i ngjanë një shteti demokratik, si Rusia dhe Bjellorusia!

Edhe opozita duhet ta respektoi dhe luaj rolin e saj, siç ja përcakton Kushtetuta dhe “qytetari” me votën e tij. Ajo duhet ta bind veten se nuk ka fuqi ekzekutive dhe se roli i saj është t’ia prezantoi qytetarit të Kosovës të dy anët e medaljes. Sjellja e opozitës si pozitë, krijon konflikt politikë. Udhëheqësit e Lëvizjes “Vetëvendosje”!, duhet ta kuptojnë se nga dita që kanë pranuar pjesëmarrjen në jetën politike parlamentare, janë pajtuar që t’i binden Kushtetutës së Kosovës, deshën apo nuk deshën. Secilin veprim që bëjnë brenda dhe jashtë institucioneve të Kosovës, e bëjnë mbi bazën e ligjeve të Kosovës. Nuk mund të rrinë edhe brenda edhe jashtë institucioneve, vetëm nëse kanë vendosur që përfundimisht të dalin jashtë tyre, për t’u rikthyer si “të parët” brenda.

Kosova nuk është as e Hashim Thaçit, as e Albin Kurtit dhe as e imja, por është e të gjithë neve dhe se nuk mund të lejohet të luhet “guxha” me të, sa herë që u teket politikanëve. Opozita, konkretisht Lëvizja “Vetëvendosje”!, – ngase dy partitë tjera opozitare kanë mbetur as andej e as këndej, – duhet ta vazhdojë “luftën” institucionale për ta larguar nga qeverisja Partinë Demokratike të Kosovës. Duhet bindur qytetari se platforma dhe alternativa e saj politike dhe ekonomike është më e mirë, sesa ajo që po zbatohet tani.

Secili që pranon rregullat e lojës, duhet që lojën ta luaj duke respektuar ato. Edhe kur mendon se vendimet janë të gabuara, loja duhet të vazhdoi, sepse gjithnjë ekzistojnë mekanizma që gabimet e bëra të korrigjohen. Nëse vazhdohet kështu, që të luhet e të mos respektohen rregullat, fundi do të jetë i keq për të gjitha palët. Për të mos ardhur deri në këtë pikë, shoqëria kosovare duhet të “zgjohet” dhe të reagoi sa nuk është bërë vonë.

Këta “liderë të hutuar” politikë duhet t’i zgjoi, t’i orientoi ose t’i largoi nga skena politike, sepse kjo klasë qeverisëse nuk është në gjendje t’i adresojnë kërkesat dhe shqetësimet e njerëzve në Kosovë. Ajo më shumë po i përdor ato që të mashtrojnë dhe mbesin sa më gjatë në pushtet. Sjellja e tillë duhet të ndërpritet dhe fillimi i ri vjen nga shoqëria kosovare. Të shikojmë rreth vetes, se, sa shpejt dhe si ndryshuan gjërat brenda shumë shoqërive gjatë vitit 2011. Nuk është keq që ky ndryshim të filloi edhe tek ne, por me kushtin që e nesërmja e re të jetë më e mirë se e djeshmja dhe e sotmja, e cila ofron perspektivë, zhvillim dhe normalitet në Kosovë!

Sepse qasja e qeverisë së Kosovës sot, nuk po bllokon vetëm rrugët dhe kufijtë në veri të vendit, por ka bllokuar gjithë Kosovën. Ka bllokuar zhvillimin dhe të ardhmen e njerëzve që jetojnë në këtë vend. Së pari e bllokuan veriu, kur u vërsulën atje pa asnjë përgjegjësi institucionale, kushtetuese dhe politike më 25 korrik 2011, duke lenë një polic të vdekur dhe disa të plagosur. Tani po i bllokojnë kufijtë, pasi që vendosën të injorojnë një Rezolutë të Kuvendit të Kosovës, që sipas Kushtetutës është organ mbikëqyrës i qeverisë dhe se vendimet e tija janë obligative për këtë të fundit. Vetëm se “argatin” e qeverisë në realizimin e këtij plani, janë duke e “bërë” serbët në rrugë e veriut dhe shqiptarët në kufij!

Exit mobile version