Telegrafi

Kosovën mund ta vërshojnë makinat e vjetra

Ministria e Financave nuk ka deklaruar se për çfarë arsye po shqyrtohet mundësia për lejimin e futjes së veturave më të vjetra se tetë vjet. Ndërkaq, Adriatik Stavileci, zëdhënës i doganave, e ka mohuar të ketë lidhje ky vendim me rritjen e të hyrave nga doganat.

Avni Zogiani, drejtues i organizatës “Çohu”, ka thënë se me lejimin e futjes së veturave më të vjetra se tetë vjet, ky është një reagim kryekëput i nervozizmit të qeverisë për shkak të krizës buxhetore që e kanë futur vendin, shkruan Zëri.

Ai ka thënë se e tërë Qeveria është duke funksionuar që të mbushë buxhetin me forma të ndryshme, që të sigurojnë për pagesën e autostradës apo “Bechtel&Enka”. “Thaçi është kryeinspektori kryesor për autostradën dhe po shfrytëzon çdo mundësi të mundshme për të mbushur buxhetin, që të arrijë t’i rregullojë punët edhe me FMN-në”, ka theksuar ai.

Drejtori i përgjithshëm i Doganave, Naim Huruglica, kishte deklaruar se që nga fillimi i muajit korrik mund të lejohet importimi i veturave më të vjetra se tetë vjet. Stavileci ka thënë se prej korrikut pritet të ndërrojnë politikat fiskale, për lejimin e futjes së veturave më të vjetra, por ky vendim do të merret nga MF-ja. “Ne nuk po synojmë që të rrisim të hyrat përmes kësaj metode, por ne vetëm do t’i zbatojmë vendimet, po gjithsesi kjo ka ndërlidhshmëri, nga se pritet që të rritet numri i importit të veturave dhe pritjet për rritje të buxhetit janë deri në 20 milionë euro”, është shprehur Stavileci.

“Pres rritje të importit së paku 20 milionë euro në vit, me lejimin e futjes së veturave më të vjetra, që do t’i sjellë të hyra shtesë Buxhetit të Kosovës ky projekt. Po flas gjithmonë duke pritur që ky ndryshim mund të sjellë në treg të Kosovës 10 ose 15 mijë vetura në vit”, kishte thënë Huruglica. /Telegrafi/