Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), publikon të dhënat lidhur me rrjedhat e eksportit dhe importit për muajin janar 2017.
Të dhënat nga Tregtia e Jashtme në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të lartë për 13.7 për qind në muajin janar 2017, në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2016, gjegjësisht në vlerë prej 125,4 milionë euro, krahasuar me deficitin prej 110,3 milionë euro në vitin 2016.
“Eksporti mbulon importin me 14.6 për qind. Eksporti i mallrave në muajin janar 2017 kishte vlerën 21,4 milionë euro, ndërsa importi 146,8 milionë euro, ku është një rënie prej (-3.7 për qind) për eksport dhe një rritje prej 10.8 për qind për import, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2016”, njofton ASK-ja.
Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 45.1 për qind të eksporteve e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 15.4 për qind e përbëjnë produktet minerale; 8.2 për qind e përbëjnë plastika, goma dhe artikuj prej tyre; 8.0 për qind e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 5.8 për qind e përbëjnë produktet bimore; 3.7 për qind e përbën lëkura dhe artikuj prej saj; 3.1 për qind e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike etj.
“Ndërsa, sipas të dhënave të grupeve kryesore për import: 17.5 për qind të importit e përbëjnë produktet minerale; 12.9 për qind e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 12.1 për qind e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 10.2 për qind e përbëjnë mjetet e transportit; 7.9 për qind e përbëjnë produktet e industrisë kimike; 6.1 për qind e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 5.5 për qind e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre etj”, thotë raporti i ASK-së shkruan Telegrafi.
Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së arritën në 5,4 milionë euro, ose rreth 25.6 për qind e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 0.4 për qind. Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE janë: Gjermania (6.4 për qind), Holanda (4.0 për qind), Britania e Madhe (4.0 për qind) dhe Austria (2.4 për qind).
Kurse, importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 63,8 milionë euro, ose 43.4 për qind e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 11.3 për qind. Importet me pjesëmarrje më të lartë ishin nga: Gjermania (12.0 për qind), Greqia (4.8 për qind), Italia (4.3 për qind), Republika Çeke (2.9 për qind) etj.
“Ndërkaq, eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s, në muajin janar 2017, arritën në 6,9 milionë euro, ose 32.6 për qind të eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 28.0 për qind”.
Ndërsa, partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s janë: Shqipëria (11.9 për qind), Serbia (9.2 për qind), Maqedonia (7.4 për qind) dhe Mali i Zi (3.2 për qind).
Ndërsa, importet nga vendet e CEFTA-s, në muajin janar 2017, arritën në 37,1 milionë euro, ose 25.3 për qind e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 19.1 për qind. Kurse, vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Serbia (14.2 për qind), Maqedonia (4.5 për qind), Shqipëria (4.2 për qind) dhe B&H (2.3 për qind).
Eksportet e Kosovës me vendet e tjera arritën në 8,9 milionë euro, ose 41.8 për qind. Kurse, si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport ishin: India (14.0 për qind) dhe Kina (10.2 për qind).
Ndërkaq, importet e Kosovës me vendet e tjera arritën në 45,9 milionë euro, ose 31.3 për qind.
Kurse, vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Kina (11.1 për qind) dhe Turqia (9.2 për qind). /Telegrafi/