Site icon Telegrafi

Kosovë vdesin mbi 800 njerëz në vit nga ndotja e ajrit?

Ndotja e ajrit llogaritet se në Kosovë shkakton mbi 800 vdekje të parakohshme në vit, thonë përfaqësues të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Skënder Syla, udhëheqës i kësaj Organizate në Kosovë, tërheq vërejtjen për rëndësinë që ka mbajtja e mjedisit të pastër për shëndetin dhe jetën e njeriut.

Qeveria e Kosovës, sipas tij, duhet të ndërmarrë masa të domosdoshme që në vitet në vijim të ketë përmirësim të ndjeshëm të kushteve mjedisore ku jetojnë qytetarët. Ndërkaq, Ilir Morina, kryeshef ekzekutiv në Agjencinë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës, agjenci kjo që funksionon në kuadër të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, thotë se sa i përket cilësisë së ajrit, ka përmirësime krahasuar me vitet paraprake.Morina shprehet se janë ndërmarrë masa në termocentrale dhe në çimentoren në Han të Elezit, ku janë vendosur filtra të pluhurit me çka besohet se është përmirësuar cilësia e ajrit.

Syla përmend disa nga sëmundjet që shkaktohen nga ndotja e ajrit. Madje, ndotja rezulton në disa raste edhe me vdekje të parakohshme.

“Në bazë të vlerësimit të Bankës Botërore, vetëm nga ndotja e ajrit kemi 800 vdekje të parakohshme, si pasojë e sëmundjes së zemrës, mushkërive etj. Gjendja pak a shumë është e njëjtë çdo vit”, bën të ditur Syla, por Morina nuk pajtohet me prezantimin e këtyre shifrave.

“Numri prej 800 njerëzve nuk përkon as me rezultatet evropiane ku janë 400 mijë vdekje të parakohshme, në mbi 550 milionë banorë. Unë e demantoj këtë lajm. Sidomos, nuk mendoj se kjo ka ndodhur në vitin 2015, pasi cilësia është përmirësuar”, thekson Morina.

Sidoqoftë, ambienti jo i pastër jetësor përveç se mund të jetë kërcënim edhe për vetë jetën e njerëzve, llogaritet se ndikon edhe në shëndetin e tyre, sidomos në rritjen e numrit të të sëmurëve nga mushkëritë dhe sëmundjeve tjera respiratore. /REL/

Exit mobile version