Telegrafi

Kosovë, shtohet interesimi i fëmijëve 12-15 vjeç për vaksinim kundër coronavirusit

Fëmijët nga mosha 12-15 vjeç në Kosovë tashmë kanë filluar të shprehin interesim për vaksinimin kundër coronavirusit.

Kjo po ndodh pasi që Ministria e Shëndetësisë ka miratuar përdorimin e vaksinës Pfizer edhe për  grupmoshat 12-15 vjeç.

Pediatrja Rifadije Maqastena-Maxhuni thotë se vala e fundit e pandemisë ka goditur mjaft shumë edhe fëmijët, prandaj sipas saj është e rëndësishme që edhe ata të vaksinohen.

“Edhe fëmijët e grupmoshës 12-15 vjeçare duhet të vaksinohen në konsultim me mjekun. Sigurisht fëmija për vaksinim duhet të ketë edhe miratimin e prindit pasi që për ta vaksina nuk është e detyrueshme…Duhet të bëhet më shumë fushatë për benifitet por edhe efektet anësore pasi çdo vaksinë mund të ketë efekte anësore”, deklaroi Maqastena për RTV Dukagjinin.

Nga Ministria e Shëndetësisë thonë se janë në fillim të këtij procesi dhe se po presin që gjatë ditëve në vijim të ketë rritje të interesimit për vaksinim edhe nga fëmijët, përcjell Telegrafi.

Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë Faik Hoti thotë se vaksina është e sigurt.

“Ne dëshirojmë të sigurojmë të gjithë prindërit se vendimi për vaksinimin e kësaj grupmoshe është marrë pasi janë analizuar shumë hulumtime të bëra në botë dhe janë marrë për bazë qëndrimet e shumë organizatave kredibile në fushën e shëndetësisë. Pasi jemi siguruar se benifitet e kësaj vaksine janë shumë më të mëdha të kjo grupmoshë se efektet kemi vendosur për miratim të saj”, deklaroi Faik Hoti.

Nga nesër qytetarët mund të vaksinohen në secilën qendër vaksinimi pa pasur nevojë për terminë paraprake./Telegrafi/