Telegrafi

Kosovë-Shqipëri, vazhdon bashkëpunimi në fushën e energjisë

Në një njoftim zyrtar të KOSTT-it thuhet, se drejtori Ismajli ka njoftuar homologun e tij nga Shqipëria se Komisioni ndërministror i Republikës Federale të Gjermanisë ka dhënë pëlqimin për financimin e pjesës kosovare të linjes 400 kilovoltëshe, përmes Bankës Gjermane për Zhvillim. Në anën tjetër drejtori Balla ka bërë të ditur se qeveria gjermane po ashtu ka shprehur gatishmërinë për sigurimin e një granti për konsulencë dhe mbikëqyrjen e realizimit të pjesës së projektit nga ana e Shqipërisë.

"Të dy palët u dakorduan që krahas marrëveshjes për bashkëpunim, Grupi i përbashkët punues në nivel ekspertësh KOSTT-OST, do të hartojnë marrëveshjen e re e cila do të detajizoj raportet në drejtim të ekzekutimit të linjës së interkoneksionit 400 kilovolt Kosovë-Shqipëri".

KOSTT-i po ashtu ka njoftuar se në trakimin mes udhëheqësve të të dy transmisioneve të vendeve fqinje Kosovë dhe Shqipëri, u analizua progresi në projektin e ofrimit të rregullimit sekondar nga ana e OST të Shqipërisë që del nga Marrëveshja e nënshkruar në Tiranë më 28 qershor të këtij viti.

"Verifikimi i rezultateve pritet të bëhet gjatë muajit shtator nga Grupi punues i përbashkët KOSTT-OST si dhe më tej fillimi i hartimit të studimit për këtë çështje nga Banka Gjermane për Zhvillim, për të cilën palët janë dakorduar. Realizimi i këtij projekti dukshëm do të ndikoj në stabilitetin dhe ngritjen e sigurisë të të dy sistemeve elektro energjetike".

Temë tjetër diskurtimi mes drejtorëve të dy sistemeve të transimsionit ka qenë edhe vendosa e një transformatori 220/110 kilovolt në Nënstacionin Prizreni 2 si dhe ndërtimi i linjës 110 kilovolt Prizren-Kukës.

"Ndërtimi i linjës 110 kilovolt Prizren-Kukës do të shërbej kryesisht për ngritjen e sigurisë së furnizimit me energji elektrike të tuneleve të autostradës Kosovë-Shqipër ndërsa transformatori që do të vendoset në nënstacionin Prizreni 2, do të sillet nga OST Shqipëri dhe mendohet që në të ardhmen të shërbej si rezervë për dy sistemet në rast nevoje.

Ndryshe drejtori i KOSTT-it, Fadil Ismajli si dhe drejtori i OST, Ymer Balla sot kanë realizuar edhe një takim me ministren e Energjisë dhe Minierave Justina Shiroka-Pula e cila u njoftua për të gjitha këto zhvillime si dhe për planet e përbashkëta për të dy sistemet e transmisionit.më këtë rast ministrja Shiroka-Pula u ka premtuar përkrahjen e saj të plotë në realizimin e këtyre ndërmarrjeve. /Telegrafi/