Telegrafi

Kosovë-Shqipëri: Me barriera s’ka bashkëpunim

Shkëmbimet tregtare mes Kosovës dhe Shqipërisë, edhe më tej vazhdojnë të jenë të vogla, edhe për kundër përpjekjeve për t’i rritur ato.

Bizneset nga Kosova, edhe më tutje vazhdojnë të kenë probleme për të depërtuar në tregun shqiptar.

Ndërkaq, ato nga Shqipëria janë më të pranishme në tregun kosovar. Për kundër marrëveshjeve ndërshtetërore, bllokadat kufitare për produkte të ndryshme janë evidente edhe më tutje.

Nëse Kosova ka dyshime dhe bllokon një produkt të Shqipërisë, nuk kalon shumë kohë kur Shqipëria hakmerret duke i bllokuar një produkt Kosovës. Në fillim të vitit 2014 filluan përplasjet për interesat e bizneseve të të dyja anëve të kufirit.

Në janar u vendosen barriera tarifore dhe jotarifore nga Prishtina dhe Tirana, të cilat dëmtuan rëndë interesat e bizneseve, njëkohësisht u pengua fuqizimi i marrëdhënieve ekonomike, shkëmbimi tregtar si dhe lëvizja e lirë e mallrave ndërmjet dy shteteve.
Po ashtu, ky acarim i marrëdhënieve ekonomike shkoj deri aty, ku shteti shqiptar mori vendim që asnjë kilogram miell të mos kaloj matanë kufirit.

Pas këtyre veprimeve të dy qeverive u bë thirrje të respektohet nënshkrimi i Marrëveshjes për Tregti të Lirë si dhe i Protokollit për Bashkëpunim Ekonomik Kosovë-Shqipëri.

Të gjitha institucionet nga Kosova, si odat ekonomike, agjencitë e bizneseve dhe shoqatat e ndryshme ishin shprehur për një bashkëpunim më të madh tregtar dhe ekonomik mes Kosovës dhe Shqipërisë.

Akciza për prodhues të alkoolit

Si barrierë tjetër jo-tarifore që është aplikuar në mes të shteteve anëtare të CEFTA-së është edhe direktiva e Qeverisë së Shqipërisë e cila përcaktonte vlerën e akcizës për të gjitha produktet e alkoolit në bazë të sasisë së prodhimit.

Kjo preku eksportuesit e verërave, të birrës dhe alkoolit në Kosovë. Akciza u vihej të gjithë prodhuesve të këtyre produkteve që tejkalonin sasinë prej 1 milionë litrash. Në Shqipëri nuk kishte prodhues të tillë që tejkalonin këtë sasi, përderisa në Kosovë kishte 3 të tillë.

Ndërsa nga institucionet e Kosovës u përllogarit se humbjet për shkak të vendosjes së kësaj akcize ishin rreth 22 mijë Euro në eksportin e verërave të Kosovës. Humbjet në produktin tjetër, atë të birrës, u llogaritën se ishin edhe më të larta.

Eksporti i verërave nga Kosova në Shqipëri përfshin vetëm 1% të eksportit total të këtij produkti nga Kosova, ku meqenëse tregu i Shqipërisë është në rritje, ndërmarrja e një mase të tillë mund të dekurajoj eksportuesit Kosovar.

Rrjedhimisht këto barriera vazhduan mes këtyre dy shteteve prej kur u shpall Kosova shtetit i pavarur. E gjitha kjo me masat mbrojtëse ndodhi në vitin 2012, pikërisht kur shteti shqiptar po festonte 100 vjetorin e pavarësisë.

Qeveritë të mbështesin proceset

Labinot Hashani, njohës i rrethanave ekonomike ka thënë se ndërtimi i autostradës së Kombit, nënshkrimi i Marrëveshjes për Tregti të Lirë si dhe i Protokollit për Bashkëpunim Ekonomik Kosovë-Shqipëri, përafruan këto dy vende më shumë se kurrë.

“Qeveritë e dy shteteve duhet t’i mbështesim të gjitha proceset të cilat kanë për synim fuqizimin e bashkëpunimit të dyanshëm ndërmjet dy vendeve. Është shqetësuese kur shohim barriera të vendosura kohë pas kohe nga të dyja vendet, e që janë në kundërshtim me përpjekjet për fuqizimin e një bashkëpunimi të shëndoshë ekonomik”, ka thënë ai.

Me barriera s’ka bashkëpunim

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës Safet Gërxhaliu në një prononcim për gazetën “Zëri”, ka thënë se interesat e Kosovës dhe Shqipërisë nuk avancohen dhe forcohen nëse vendosen barriera tregtare dhe nuk ka bashkëpunim ekonomik.

Këto dy shtete shton Gërxhaliu kanë dështuar në krijimin e lehtësirave tregtare.

“Një shtet apo disa shtete nëse nuk i bashkon ekonomia atëherë ardhmërinë e kanë të dështuar, nuk duhet faji të hidhet gjithë në Kosovë, në disa raste edhe Kosova i ka gabimet e veta por në këtë drejtim drejtpërdrejt ankesat duhet të adresohen tek autoritetet shqiptare”, thekson ai.

Kapacitetet e pamjaftueshme të prodhuesve kosovarë dhe mos përmbushja e standardeve për cilësinë e produkteve, si dhe disa barriera që iu janë vendosur këtyre produkteve nga ana e shteteve të caktuara, kanë bërë që Kosova të mos ketë përfituar shumë nga marrëveshja CEFTA, anëtare e së cilës është që nga vitit 2007. Gërxhaliu thekson shtet duhet të respektojnë marrëveshjet e nënshkruar të kenë bashkëpunim më të mirë tregtarë.

“Sa i përket raporteve me vendet tjera fqinje nuk do të na habit fakti që ndoshta ka shumë vështirësi, Qoftë nga Serbia apo Maqedonia nuk kemi pritur më shumë, dhe kur me Shqipëri ndodh diçka e tilla atëherë çfarë të presim nga shtetet tjera”, thotë ai.

108 milionë euro importe nga Serbia

Acarimi i raporteve politike në mes të Shqipërisë dhe Serbisë nuk vërehet fare në raportet ekonomike mes tyre. Vetëm gjatë një periudhe 8-mujore janar – gusht, shteti shqiptar nga Serbia ka importuar mallra në vlerë prej 108 milionë eurosh.

Serbia zë vendin e gjashtë për importet e Shqipërisë për këtë periudhë kohore të vitit 2014, ndërsa Italia dhe Greqia dominojnë në krye të listës.

Këto të dhëna janë zyrtare nga Dogana e Shqipërisë, e cila i ka dërguar gazetës “Zëri”, raportin e buletinin e tregtisë së jashtme. /zeri/