Telegrafi

Kosovë- Danimarkë, thellohet bashkëpunimi në mes bibliotekave

Drejtues të Bibliotkës Mbretërore daneze, Greta Jacobsen dhe Knud Arne Jurgensen, duke informuar delegacionin kosovar theksuan se kjo bibliotekë funksionon që nga shekulli i XVI dhe se aktualisht ka një fond prej mbi 30 milionë ekzemplarë librash dhe njësish bibliotekare. Ajo ka rreth 400 punëtorë dhe për çdo ditë mesatarisht nga 600 studiues dhe lexues gjatë ditës. Në fondin e kësaj biblioteke janë edhe 142 tituj librash në gjuhën shqipe dhe një dokumentacion të vlershëm për historinë, letërsinë, kulturën dhe traditën shqiptare.

Delegacioni nga Kosova dhe mikpritësit danezë, gjatë bisedave, u dakorduan që të thellojnë bashkëpunimin e ndërsjellë në mes të Bibliotekës Mbretërore Daneze dhe Bibliotekës Kombëtare e Universitare të Kosovës.

Ata biseduan edhe për shkëmbimin e botimeve në mes dy vendeve dhe për shtimin e përkthimeve të veprave daneze në gjuhën shqipe si dhe veprave të shkrimtarëve shqiptarë në gjuhën daneze. Në kuadër të këtij bashkëpunimi, do të realizohet edhe një vizitë e përfaqësuesve të Bibliotekës Mbretërore Daneze në Kosovë. /Telegrafi/