Telegrafi

Kosovë, 250 pompa operojnë pa licencë

Ky fakt konfirmohet nga nënkryetari i Shoqatës së Naftarëve të Kosovës, Selatin Ratkoceri. Sipas tij, nga 900 pompa për shtijën e derivateve, rreth 650 janë të licencuara. Mbi 160 janë të palicencuara, ndërsa gati rreth 100 pompa janë nëpër fshatra dhe nuk dihet fare që ekzistojnë.

Sipas portalit Qendra.info, në këtë shifër nuk llogariten mbi 38 pompa që janë hapur në pjesën veriore të Mitrovicës, të cilat janë duke treguar naftën me çmime shumë të lira prej 70 deri në 80 cent, pasi nuk paguajnë asnjë lloj tatimit. Shumë shqiptarë nga të gjitha anët e Kosovës furnizohen me derivate në këto pompa për shkak të çmimi të lirë. Në Kosovë llogarite se importohen rreth 300 mijë tonë naftë në vit, ndërsa importi ditor është rreth 700 deri 800 tonë.

Ekspertët nga Dogana e Kosovës thonë se ekziston një evazion fiskal i cili llogaritet se ia humb Kosovës nga 20 deri në 30 milion euro në vit. Sipas tyre, 300 mijë tonë naftë hyjnë në Kosovë dhe për këtë sasi paguhet TVSH në kufij mirëpo pasi hyn në territorin e Kosovës për një pjesë të madhe të saj nuk paguhet TVSH e brendshme, e cila merret nga kompanitë më vogla, pompat ilegale të derivateve, apo iu shitet drejtpërdrejt qytetarëve, apo edhe nuk faturohet fare. Përveç kësaj për një pjesë të naftës dhe benzinës së shitur në Kosovë, nuk paguhet as tatimi në fitim që realizojnë këto kompanie.

“Pagesa e TVSH-së në shitje në raport me pagesën e tatimeve doganore apo krahasuar me hyrjen e derivateve që bëhet në pikat doganore duhet të jetë mbi 80 për qind. Themi dhe konstatojmë këtë përqindje duke u bazuar në njohuritë e tregut me të cilat posedojmë, por edhe duke pasur parasysh se në vitin 2009, 2010 dhe fillimi i 2011 shihet se faturimi i derivateve në emër të pikave të shitjes thuajse bëhet gati në 90 për qind.

Kjo tregon se nëse biznesi apo stacioni i derivateve që bënë shitjen me pakicë merr faturën, atëherë janë të zvogëluara në masë të madhe manipulimet me shmangie të tatimit apo evazionit tatimor në rastin tonë është fjala është për TVSH-në. Tjetër është fakti se marzha apo fitimi nga shitja e derivateve është në një shkallë shumë të ulët”, theksoi Ratkoceri. Ditë më parë edhe ATK-ja ka filluar të kontrollojë stoqet dhe rezervat e naftës që kanë kompanitë për të kontrolluar shitjen që ato realizojnë dhe të cilën nuk e faturojnë. /Telegrafi/