Emri Bushi është vetëm njëri nga 10 personat e akuzuar për terrorizëm që u gjykuan nga Gjykata Themelore e Prishtinës nën akuzën e pjesëmarrjes në organizata terroriste, ndërsa në janar të këtij viti, atij i ishte shqiptuar një dënim prej 4 vjet e 6 muajsh burg.
Duke pretenduar se asnjëherë nuk veshi uniformën e ISIS-it por ishte pjesë e grupeve tjera opozitare ndaj regjimit të Bashar al Assad, Emri Bushi ka ushtruar ankesë ndaj vendimit të Gjykatës Themelore të Prishtinës, ndërsa pret që Gjykata e Apelit të evitojë shkeljet e bëra në shkallën e parë.
KALLXO.com ka siguruar ankesën e ushtruar nga avokatja e Bushit, Labinotë Qosaj-Ilazi, në të cilën evidentohen një varg shkeljesh të bëra nga gjykata themelore sipas pikëpamjes së mbrojtjes.
“E nderuara Gjykatë e Apelit është fakt se i mbrojturi im ka dorëzuar në cilësinë e provës materiale një CD dhe dy linqe nga të cilat vërtetohet se i mbrojturi im nuk ka qenë pjesë e ISIS-it sepse shihet se nuk mbante uniformën apo emblemën e ISIS-it”, thuhet në ankesën e avokates Qoasaj-Ilazi.
Bushi edhe gjatë gjykimit kishte thënë se nuk ishte pjesë e ISIS-it.
E njëjta, pretendon se gjykata e shkallës së parë nuk ka dhënë arsye të qarta dhe të pranueshme lidhur me saktësinë e provave të paraqitura nga mbrojtja.
Avokatja Qosaj-Ilazi më tej shton se gjykata e shkallës së parë nuk ka dhënë arsyetim të duhur as për përgjegjësinë penale të të akuzuarit.
“Emri Bushi për në Siri ishte nisur para datës 30 maj 2013, datë kjo kur ISIS për herë të parë ishte sanksionuar si organizatë terroriste nga OKB, pasi që deri më atë datë jo vetëm SHBA, por edhe vetë përfaqësuesit politikë të Kosovës e kishin përkrahur fuqishëm luftën opozitare në Siri kundër Bashar Al- Assad”, thuhet në ankesën e të akuzuarit.
Avokatja Qosaj-Ilazi kërkon përmes ankesës së saj që Gjykata e Apelit ta lirojë të akuzuarin nga akuza, ndërsa në rastin më të keq ta ndryshojë sanksionin e shqiptuar sepse sipas saj dënimi është tejet i lartë.
Prokuroria Speciale e Kosovës më datën 7 maj 2015 ngriti aktakuzë ndaj Irfan Haqifit, Ernest Beqirit, Fidan Ibrahimajt, Kujtim Bllacës, Blerim Sylës, Fitim Demës, Emri Bushit, Vehbi Gërxhaliut dhe Fisnik Bushit.
Irfan Haqifi dhe Ernest Beqiri janë akuzuar nga prokuroria për veprën penale rekrutim për terrorizëm, ndërsa të tjerët për veprën penale organizim dhe pjesëmarrje në grupe terroriste.
Të akuzuarit Kujtim Bllaca dhe Blerim Syla janë të akuzuar edhe për veprën penale armëmbajtje pa leje.
Gjykata Themelore e Prishtinës më 19 janar të këtij viti kishte shpallur aktgjykimin sipas të cilit me nga 4 vjet e 6 muaj u dënua Ernest Beqiri, Fisnik dhe Emri Bushi.
Nga 3 vjet e 6 muaj qëndrim prapa grilave iu dhanë Fidan ibrahimajt, Kujtim Bllacës e Vehbi Gërxhaliut, ndërsa Fitim Dema u dënua me 2 vjet e 6 muaj burg.
Të gjithë të dënuarit nga shkalla e parë kanë paraqitur ankesat e tyre në Gjykatën e Apelit.
Kenan Rushiti u lirua nga akuza për terrorizëm, pasi prokurori hoqi dorë nga ndjekja e tij penale.
Procedura u veçua për Irfan Haqifin e Blerim Sylën. /Kallxo.com/