Site icon Telegrafi

Kosovari që Daçiq pretendoi se i kërcënoi ambasadat serbe në Evropë, është me nevoja të veçanta – flasin familjarët e tij

Ministri i Punëve të Brendshme i Serbisë (MPB), Ivica Daçiq, tha të martën se ka pranuar informatë zyrtare për një person i cili dyshohet se ka dërguar mesazhe kërcënuese ndaj aeroportit “Nikola Tesla” në Beograd, ambasadave serbe në Gjermani dhe Austri, si dhe ndaj Qendrës së Beogradit për Politika të Sigurisë.

Sipas tij, Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë ka marrë informacion zyrtar se personi në fjalë është Denis Krasniqi (i lindur më 1998) nga Zvicra, prindërit e të cilit janë nga Kosova.

Daçiq dekalro se Krasniqi “aktualisht ndodhet në Kosovë” dhe se ai “është urdhëruar” të paraqitet në policinë zvicerane “menjëherë pasi të jetë kthyer në Zvicër”.

Lidhur me këtë Insajderi ka biseduar me familjarët e Denis Krasniqit.

Ata kanë treguar se familjari i tyre është person me nevoja të veçanta dhe shkallën e invaliditetit të lëshuar nga shteti i Zvicrës e ka 90%.

Familjarët kanë konfirmuar se Denisi nuk flet dhe e posedon shkallë të lartë të sëmundjes së autizmit.

Lexo po ashtu Daçiq pretendon se një shqiptar që jeton në Zvicër ka kërcënuar ambasadat serbe në Evropë

“Kjo është propagandë e poshtër. Edhe shteti armik serb e din për kë bëhet fjalë. Denisi është person me nevoja të veçanta, probleme që i ka që nga lindja. Shteti i Zvicrës e din këtë gjë. 90% është shkalla e invaliditetit të tij. Serbia e din që nuk ka asnjë rrezik nga familjari ynë – ky madje as nuk flet. Për këtë edhe Zvicra as që e ka marrur në pyetje për pretendimet e Serbisë. Është e ultë, është marre të bëhen propaganda të tilla. Mirëpo, jemi mësuar tashmë që gjëra të tilla dhe shumë më të rënda të bëhen nga shteti i Serbisë”, tha një familjar i Denis Krasniqit.

Kësaj propagande iu bashkua edhe ministri i Jashtëm serb, Marko Gjuriq, cili tha po ashtu se sipas informacioneve paraprake, “këto kërcënime vijnë nga qarqe ekstreme separatiste të një pjese të diasporës sonë nga Kosova, pra nga persona të kombësisë shqiptare”.

“Në bashkëpunim me organet e tjera evropiane të sigurisë, po punojmë për të parandaluar dhe hequr këto kërcënime, por e përmend këtë sepse dikush nga Prishtina ka vite që punon sistematikisht për të krijuar një klimë në të cilën sulmi ndaj gjithçkaje serbe është i pranueshëm”, tha Gjuriqi për TV Pink.

Exit mobile version