Site icon Telegrafi

Rrahu brutalisht një burrë në prani të fëmijës, kosovari dënohet me 42 muaj burgim dhe 8 vjet dëbim nga Zvicra

Një 27-vjeçar kosovar është dënuar me 42 muaj burg dhe tetë vjet dëbim nga Zvicra pas një sulmi të dhunshëm dhe veprimeve të tjera kriminale.

Ngjarja ndodhi në shtator të vitit 2020, kur i pandehuri rrahu rëndë një burrë përpara një dyqani lodrash në Flawi (St. Gallen) në prani të djalit të tij 10-vjeçar.

Sipas prokurorisë, pas një debati verbal dhe një goditjeje me kokë, kosovari vazhdoi sulmin me grushta dhe shkelma edhe pasi viktima kishte humbur vetëdijen.

Sulmi u ndal vetëm pas ndërhyrjes së një pale të tretë.

Megjithatë, motivi i sulmit nuk u qartësua plotësisht në aktakuzë, ndërsa avokati i të pandehurit pretendoi se viktima e kishte ngacmuar seksualisht klientin e tij më parë.

Përveç sulmit, i akuzuari ishte përfshirë edhe në raste të tjera kriminale, duke përshirë zhvatje, dëmtim prone dhe shkelje të ligjeve të trafikut rrugor.

Ai kishte kërcënuar një koleg për t’ia marrë 15,000 franga, duke e kërcënuar me dhunë dhe me vdekje familjen e tij.

Gjithashtu, ai ishte përplasur fizikisht me të tjerë në janar të vitit 2022 në St. Gallen.

Gjatë gjykimit, i pandehuri u mbrojt duke thënë se tani është një person ndryshe, ka rigjetur besimin dhe është kthyer nga një pelegrinazh në Mekë.

“Ai ka filluar të punojë në sektorin financiar dhe është përkushtuar në kikboks, ku ka rregulla të qarta që ai i respekton. Madje ka përfaqësuar Zvicrën në garat ndërkombëtare dhe synon titullin kombëtar zviceran në kikboks”.

Megjithatë, gjykata e Qarkut në Wil e vlerësoi rrezikun e tij si të lartë dhe vendosi një dënim të ashpër.

Shqiptari u dënua me 42 muaj burg dhe u urdhërua të largohej nga Zvicra për tetë vjet. Gjithashtu, ai duhet të paguajë një gjobë dhe shpenzimet procedurale që arrijnë shumën prej 34,261 frangash.

Gjykata gjithashtu nuk e pranoi pretendimin e tij se ai po kanalizonte agresivitetin e tij përmes arteve marciale, duke argumentuar se bazuar në historinë e tij, ekziston një rrezik i lartë që ai të përsërisë sjelljet e dhunshme.

Ndërkohë, aktgjykimi nuk është ende përfundimtar dhe mbetet të shihet nëse i pandehuri do ta apelojë vendimin, raporton albininfo, njofton Telegrafi.

Exit mobile version