Derisa zyrtarët e lartë të shtetit vazhdojnë të deklarojnë se procesi i liberalizimit të vizave është afër përfundimit, kosovarët vazhdojnë të ballafaqohen me vështirësi për të udhëtuar nëpër Evropë.
Baki Pllanës me 1 maj i duhet të jetë i pranishëm në Gjermani, pasi ka arritur të sigurojë një kontratë pune atje. Por, Pllana është i indinjuar me pritjet për të marrë një termin për vizë pune në Ambasadën gjermane, raporton KTV.
Pritjet e gjata me muaj për të siguruar terminin i quan neglizhencë dhe politikë të dyfishtë ndaj shtetasve kosovarë.
Kryetari i Asociacionit për Arsim dhe Aftësim Profesional thotë se kjo është në kundërshtim me marrëveshjen që Gjermania dhe Kosova kanë bërë për t’iu mundësuar kosovarëve aftësim dhe punësim sezonal në shtetin gjerman.
Ambasada gjermane, e kontaktuar nga TV ARTA, nëpërmjet postës elektronike ka thënë se kërkesat për viza i tejkalojnë kapacitetet e tyre.
Ministri i Punës, Arban Abrashi, ka deklaruar të kenë kontaktuar me autoritetet gjermane rreth kësaj çështjeje dhe se janë siguruar që shumë shpejt ata do t’i rrisin kapacitetet për trajtimin e vizave.