Qytetarët e Kosovës vazhdojnë të jenë të parët në Ballkanin Perëndimor, që besojnë në perspektivën e integrimit në Bashkimin Evropian. Pas Kosovës vjen Shqipëria, derisa e fundit radhitet Serbia.
Gallup International ka publikuar rezultatet një anketë të zhvilluar në vitin e kaluar në gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, që janë në proces të anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe rezultatet janë befasuese, transmeton KosovaPress.
Sipas Gallup Internacional, 84 për qind e të anketuarve në Kosovë besojnë s’e do të kenë përfitime nga anëtarësimi në Bashkimin Evropian, derisa 4 për qind mendojnë se ky anëtarësim do të ishte i dëmshëm.
Pas Kosovës, e cila kryeson me besueshmërinë më të madhe në perspektivën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, vjen Shqipëria me 80 për qind që besojnë s’e do të kenë përfitime dhe me 10 për qind që s’besojnë s’e do kenë përfitime.
Rezultatet e Gallup World Poll, të tretën ndër shtetet e Ballkanit Perëndimor, qytetarët e së cilës besojnë në përfitime prej anëtarësimit në Bashkimin Evropian, radhisin Bosnje e Hercegovinën me 59 për qind të të anketuarve që janë shprehur pro integrimit, derisa 21 për qind prej tyre kanë shprehur besimin s’e nuk do kenë përfitime prej integrimit në familjen evropiane.
Pas Bosnje e Hercegovinës vjen Maqedonia me 58 për qind që janë shprehur s’e do përfitonin prej integrimin në BE dhe me 18 për qind që s’do përfitonin.
I parafundit nga gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor vjen Mali i Zi, ku 49 për qind e të anketuarve kanë shprehur besimin e tyre s’e do përfitonin prej anëtarësimit në Bashkimin Evropian, kurse 25 për qind që s’do përfitonin.
Ndërsa, me besueshmërinë më të vogël në perspektivën e Bashkimit Evropian janë shprehur qytetarët e Serbisë. Serbia radhitet e fundit nga Gallup World Poll, ku 40 për qind e të anketuarve serbë rezulton që besojnë në përfitime nga anëtarësimi në Bashkimin Evropian, kurse 34 për qind të tjerë nuk besojnë s’e do të kenë përfitime prej këtij anëtarësimi.
Kjo anketë e Gallup Internacional, e cila qytetarët e Kosovës i nxjerrë me 84 për qind që besojnë në perspektivën e integrimit në Bashkimin Evropian dhe serbët me euroskepticizmin më të madh në Ballkanin Perëndimor, është përgatitur nga Zacc Ritter dhe Galina Zapryanova në vitin 2016.