Mbrëmë (e enjte) është mbajtur nata e dytë e Festivalit të këngës në RTSH, ku u përmbyll gara me 24 konkurrentët, teksa vetëm 14 prej tyre më pas arritën që të kualifikohen për në finale.
Mënyra e votimit që artistët të kualifikohen ka qenë ajo përmes jurisë dhe votave të publikut, pesha e të cilave ishte dy herë më e madhe se ajo e jurisë.
Publiku mund të votonte përmes internetit, teksa mënyra se si kjo procedurë shkonte ishte e thjeshtë. Ata duhej të kyçeshin në një link në Internet, të jepnin disa të dhëna, përfshirë edhe numrin e telefonit, teksa më pas në telefonin e tyre do të shfaqej një mesazh, në të cilin dërgohej kodi që ky votim të ishte i pranueshëm.
Shumë shikues të festivalit nga Shqipëria arritën që të kryejnë me sukses këtë votim, teksa e njejta gjë nuk mund të thuhet për shqiptarët e Kosovës.
Konkurrentët nga Kosova në edicionion e sivjetmë të festivalit ka qenë plot 10, megjithatë ata nuk mundën të marrin mbështetjen e duhur nga publiku dhe të afërmit e tyre.
Të entuziazmuar për festivalin, publiku nga Kosova ka shprehur dëshirën për të votuar, duke dërguar të dhënat në Internet, gjersa mësohet se atyre nuk u është dërguar kodi telefonik, me të cilin ata duhet të kyçeshin direkt, për të vazhduar më pas procedurën e votimit.
Kjo neglizhencë u vërtetua edhe në transmetimin direkt, ku njëra nga konkurrentet kosovare, e cila e pyetur nga gazetari nëse ka marrë mbështetjen e duhur me vota nga publiku, ajo u shpreh me fjalët: “Kam dëgjuar se nuk po mund të votohet”. /Telegrafi/