Natën e mbrëmshme kanë ndodhur të shtëna armësh në mes të shtetasve kosovarë në Spreitenbach, në kantonin Aargau në Zvicër.
Pasi që i sulmuari ka dashur të ikte me veturën e tij, ka shpërthyer zjarri dhe makina është djegur tërësisht. Për fat, ngasësi i saj ka mundur të dilte pa bartur pasoja, shkruajnë mediet zvicerane sot, përcjell albinfo.ch.
Mediet shkruajnë se skenat që janë parë mbrëmë kanë qenë “të denja për Hollywood”. Para orës 4:00 të mëngjesit, një kosovar 37-vjeçar kishte qëlluar me armë mbi bashkëvendësin e tij po ashtu 37-vjeçar, i cili po rrinte në veturën e tij, Mercedes. Ndonëse ky i fundit arrin të ikë nëpër autostradë, pak para se të hynte në tunelin Bareg në makinën e tij nga shkaqe të panjohura shpërthen zjarri. Makina digjet në tërësi.
Policia e alarmuar nga ai ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe ka konstatuar se përveç disa gërvishtjeve të lehta, personi i sulmuar nuk kishte pësuar ndonjë lëndim. Pak më vonë policia ka kapur personin që ka gjuajtur me armë dhe e ka arrestuar atë. Në makinën e tij është gjetur një pistoletë e mbushur. Ai bashkë me një person tjetër që kishte qenë bashkë me të, një 43 vjeçar, po mbahen në burg. Ndaj të parit prokuroria ka iniciuar hetime penale.