Tre talentët e Prishtinës kanë qenë nën vëzhgimin e zyrtarëve të klubit gjerman për një javë, si pjesë e përgatitjeve për pjesëmarrjen në turneun ndërkombëtar që do të mbahet në Cyrih në fillim të muajit maj dhe më pas në fund të korrikut po në të njëjtin vend.
Përmes një njoftimi nga zyrtarët e Borussia Dortmundit, në adresë të FC Prishtinës, thuhet se të tre futbollistët shqiptarë janë konfirmuar për të marrë pjesë në turneun e Cyrihut, “Blue Stars”, për të rinjtë, nga 7 deri më 10 maj, njofton Koha.
Ata janë pjesë e ekipit prej 18 lojtarësh që do të luajnë në turne, kundër Manchester United, Zenitit, Botafogos dhe Cyrihut. Gavazaj, Latifi e Aliu janë anëtarë të kombëtares së Shqipërisë dhe llogariten si lojtarë me perspektivë të madhe, që edhe është arsyeja pse klubi u përcaktua t’i dërgojë në Dortmund. /Telegrafi/