Site icon Telegrafi

Kosovarë apo shqiptarë të Kosovës!?

Viteve të fundit, gjegjësisht pas shpalljes së pavarësisë, në Kosovë filluan të dëgjohen disa zëra dhe klithma për një identitet të ri me emrin “populli kosovar”. Pothuajse çdo ditë televizionet e Kosovës, por dhe në media elektronike dhe në ueb-portale, shoh ndonjë artikull me temën për “ kosovarët”. Është disi rrëqethëse dhe më vjen tepër keq ngaqë dëgjoj këso zëra falso. Mua, si një shqiptar i Maqedonisë, më prekin tej mase, ngaqë dhe unë duhet të mendohem pastaj: a jam shqiptar i Maqedonisë apo maqedonas; a jam çam apo grek; ose a jam arbëresh apo italian?

Por, ti vërejmë gjërat në një dimension tjetër. Gjatë betejës së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në emblemat e tyre ushtarake figuronte shqiponja dykrenare, e cila i detyroi serbët të largohen nga territoret shqiptare. Në të njëjtën kohë, nuk duhet të harruar kontributi i Jasharajve të cilët dhanë jetën për liri dhe për bashkimin e trojeve shqiptare. Kjo luftë çlirimtare nuk u bë për folklor patriotik, nuk u bë dhe për krijimin e “popullit kosovar dhe kosovarishtes”, nuk u bë për poenë politikë, si dhe për shumë mbrapshti dhe pika të dobëta të cilët politikanët e tanishëm shqiptarë – qoftë në Shqipëri, Kosovë apo Maqedoni – janë duke i bërë. Por, u bë për shqiptari.

Prandaj, krijimin e këtij identiteti e shoh më shumë si proces të përfitimit të poenëve politikë për të fituar bindje të mira te evropianët. Dobësia vjen nga strukturat politike që qeverisin Kosovën në këto vitet e fundit, sa që nuk është e aftë t`i ndalojë institucionet serbe në veri të Kosovës. Si për shembull: Postën e Serbisë, Telekomin serb, e mbi të gjitha dhe strukturat paralele serbe që funksionojnë ilegalisht në ato treva shqiptare!

Duam të dimë, në qoftë se keni humbur pjesën veriore, pse atëherë nuk e keni marrë Luginën e Preshevës.

Shteti-komb asnjëherë nuk vjen parasysh te ne shqiptarët e trojeve të Shqipërisë etnike. Por, duhet të merret parasysh krijimi i komb-shtetit ngaqë kjo mund të jetë e dobishme për ne.

Kosova për ne është shtet i pavarur dhe kurrë nuk do e mohojmë këtë gjë, po për ne mbeten si shqiptarë të Kosovës e jo si kosovarë. Nuk mund unë t’i them sllavo-maqedonasve maqedonë, ngaqë e kaluara historike tregon se asnjë gjë nuk përputhet me historinë e maqedonasve antikë, edhe pse ata ishin pjesë e Ilirëve të lashtë. Dhe asnjëherë nuk iu besoj botimeve dhe veprave sllavo-maqedonase, por edhe atyre serbe që kanë në tematike shqiptarët, ngaqë vetë sistemi e bëri që shqiptarët të jenë të shtypur dhe të parespektuar nga sllavët.

Nuk mund të them unë që jam maqedonas, ngaqë gjakun e kam të shqiptarit, sepse unë flas shqip, mësoj shqip, veproj shqip dhe jam shqiptar e i biri shqiptarit. Dhe askush nuk mund të ma mohojë këtë. Por, ne shqiptarët kështu e kishim fatin e mjerë që përkrah të tjerëve dhe për të qenë të mirë të Evropës, u ndamë ne mes vete, sa që kur dua të shkojë në Luginë të Preshevës duhet të pres dy orë në kufij; kur dua të shkoj në Prishtinë më duhet të pres një orë në Han të Elezit etj.

Mua më mbetet të them së fundmi se Kosova është zemra jonë, sepse është pjesë e Shqipërisë. Unë nuk duhet të krenohem me flamurin “ventilator” sllavo-maqedonas, por unë duhet të krenohem me flamurin kuqezi; unë nuk duhet të krenohem me “komitët”(tifozët sllavo-maqedonas), por duhet të krenohem me tifozët “Kuqezi”; unë nuk duhet të krenohem me himne të tjera, por unë krenohem me himnin tonë kombëtar.

Prandaj, shqiptarë, kudo që ndodheni në trojet e juaja, por edhe në diasporë, krenohuni që jeni shqiptarë dhe flisni shqip, ngaqë shqipja është gjuha amë e cila kurrë nuk duhet harruar.

 

Exit mobile version