Telegrafi

Kosova zhvillon stërvitjen e fundit para nisjes në Angli, të gjithë futbollistët janë gati

Përfaqësuesja e Kosovës e ka zhvilluar sot (e diel) pasdite seancën e fundit stërvitore në stadiumin “Fadil Vokrri” para udhëtimit në Angli.

Në stërvitjen e sotme përzgjedhësi Bernard Challandes ka angazhuar vetëm lojtarët që nuk u paraqitën në ndeshjen e djeshme kundër Çekisë dhe ata që luajtën si zëvendësues.

Pjesa e futbollistëve titullarë kishin vetëm aktivitete në hotel, me përjashtim të Elbasan Rashanit, i cili ishte në stërvitje.

Lexo po ashtu Të gjitha lajmet rreth Përfaqësueses së Kosovës

Për më shumë se një orë futbollistët bën stërvitje me intensitet të lartë fizik, ku u fokusuan në vrapime dhe stërvitje të forcës fizike, por më pas edhe në lojë me pasime të shkurta dhe në gjuajtje standarde.

Edhe stërvitjen e sotme nga afër e ndoqën presidenti Agim Ademi, nënkryetari Bakir Burri dhe sekretari i përgjithshëm, Eroll Salihu.

Sipas FFK-së, gëzon fakti se gjendja e futbollistëve është shumë e mirë dhe që të gjithë janë në dispozicion për ndeshjen e radhës kundër Anglisë, e cila zhvillohet të martën në Southampton. /Telegrafi/