Përfaqësuesja e Kosovës e ka zhvilluar sot (e diel) pasdite seancën e fundit stërvitore në stadiumin “Fadil Vokrri” para udhëtimit në Angli.
Në stërvitjen e sotme përzgjedhësi Bernard Challandes ka angazhuar vetëm lojtarët që nuk u paraqitën në ndeshjen e djeshme kundër Çekisë dhe ata që luajtën si zëvendësues.
Pjesa e futbollistëve titullarë kishin vetëm aktivitete në hotel, me përjashtim të Elbasan Rashanit, i cili ishte në stërvitje.
Për më shumë se një orë futbollistët bën stërvitje me intensitet të lartë fizik, ku u fokusuan në vrapime dhe stërvitje të forcës fizike, por më pas edhe në lojë me pasime të shkurta dhe në gjuajtje standarde.
Edhe stërvitjen e sotme nga afër e ndoqën presidenti Agim Ademi, nënkryetari Bakir Burri dhe sekretari i përgjithshëm, Eroll Salihu.
Sipas FFK-së, gëzon fakti se gjendja e futbollistëve është shumë e mirë dhe që të gjithë janë në dispozicion për ndeshjen e radhës kundër Anglisë, e cila zhvillohet të martën në Southampton. /Telegrafi/