Kosova e ka zhvilluar stërvitjen e dytë në kuadër të përgatitjeve për dy ndeshjet e këtij muaji, miqësoren ndaj Gjibraltarit dhe ndeshje kualifikuese për ‘Euro 2020’, kundër Malit të Zi.
Në stërvitjen e të martës, përzgjedhësi Bernard Challandes i ka pasur në dispozicion të gjithë futbollistët me përjashtim të Vedat Muriqit, i cili për shkak të shqetësimeve të vogla shëndetësore, ka qëndruar në hotel për pushim.
Nga ana tjetër, Milot Rashica është stërvitur i veçuar nga pjesa tjetër e ekipit, duke pasur parasysh se është rikthyer vetëm pak javë më parë nga lëndimi – thuhet në njoftimin e FFK-së.
Atmosfera në kampin e Dardanëve është shumë e mirë dhe e gjithë vëmendja është te përballja ndaj Malit të Zi që zhvillohet më 14 tetor.
Por, edhe miqësorja ndaj Gjibraltarit pritet me entuziazëm, sidomos nga futbollistët që kanë pasur më pak hapësirë deri më tash për lojë.
Stërvitja e ka qenë me intensitet të plotë, ku futbollistët punuan me entuziazëm në skemat e lojës së trajnerit zviceran.