Skuadra e Kosovës në hendboll i luan dy ndeshje miqësore me ekipin e Kuvajtit.
Ndeshjet luhen më 17 e 19 dhjetor në Podgoricë. Grumbullimi i Kombëtares bëhet më 15 dhjetor në Prishtinë, ndërsa udhëtimi është një ditë më vonë.
Përzgjedhësi Bujar Qerimi pritet t’ua japë rastin lojtarëve që kanë pasur më pak hapësirë në takimet e kaluara. Po ashtu, do të ftohen lojtarë që janë shquar në klubet e Superligës e që vlerësohen me potencial për vend në skuadër.
Ndeshjet me Kuvajtin vlerësohen me rëndësi për të rritur konkurrencën në Kombëtaren tonë dhe për të zgjeruar bazën për selektimet e ardhshme.
Kuvajti është rival cilësor dhe në rritje të vazhdueshme. Ndërkohë po vazhdojnë negociatat për të aranzhuar dy miqësore me Arabinë Saudite. Ato mund të luhen në javën e fundit të dhjetorit.
Të kujtojmë që Kosova grumbullohet më 25 dhjetor për ndeshjet kualifikuese të janarit.