Kosova A e ka mundur Maltën 70-60 (19:26, 18:13, 11:13, 22:8), duke fituar medaljen e bronztë dhe ka përfunduar e treta në Kampionatin Evropian për Shtete të Vogla.
Kjo ishte hera e parë që vashat e Kosovës luajnë në garat ndërkombëtare.
Fillimi i ndeshjes ishte i baraspeshuar, më pas Malta krijoi epërsi deri në gjashtë e shtatë pikë, derisa çerekun e parë e fitoi 19:26. Vashat Dardane nuk u dorëzuan dhe në periudhën e dytë rikthehen, duke ngushtuar shifrat në 34:45, derisa pjesa e parë përfundon 37-39.
Lojë interesante u zhvillua në periudhën e tretë, ku vashat nga Malta arrijnë epërsi prej 10 pikësh, 40:50 e 42:52, por gjashtë pikë radhazi nga Kosova bënë që epërsia të ngushtohet në 48:52, sa ishte rezultati në semafor pas 30 minutash. Kosova vazhdoi me lojë të mirë edhe në periudhën e fundit, me një seri shumë të mirë, ku kishin epërsi deri në dhjetë pikë, 70-60, sa përfundoi ndeshja.
Te Kosova u dalluan Era Shatri me 17 pikë e 15 kërcime, Saranda Daci me 14 pikë e 13 kërcime dhe Alexis Tolefree me 16 pikë.
Kjo ishte ndeshja e fundit për Kosovën në këtë Evropian, që ishte i suksesshëm duke marrë parasysh se ishte hera e parë që garon në arenën ndërkombëtare në konkurrencën e femrave.