Qytetarët e Kosovës me të drejtë vote sot, më 9 shkurt 2025 iu drejtuan kutive të votimit për t’i zgjedhur përfaqësuesit e tyre për një mandat katërvjeçar.
Nga 1 milion e 970 mijë e 944 votues që kishin të drejtë vote, sipas KQZ-së në këtë proces zgjedhor morën pjesë 789 mijë e 172 votues apo 40.04%.
Në ishin 28 subjekte politike. Kandidatë për kryeministër janë katër, ndërsa 1280 persona kandidojnë për deputetë. Vendvotimet u hapën në orën 07:00 të mëngjesit dhe u mbyllën në orën 19:00.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur me publikimin e rezultateteve të para preliminare në ueb faqen e saj zyrtare.
Ekipi i Telegrafit nga terreni gjatë tërë ditës u ka sjell informacione dhe vazhdon të ju mbaj të informuar në kohë reale për të gjitha zhvillimet që lidhen me procesin zgjedhor. /Telegrafi/
DnV del me rezultatet e saja preliminare
Eugen Cakollit nga DnV tha se këto rezultate janë të një niveli të saktësisë më të madh se që kanë exit pollet.
Policia: Procesi zgjedhor pa incidente serioze – 6 raste raste penale janë iniciuar
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe Policia e Kosovës kanë njoftuar se procesi zgjedhor në Kosovë është zhvilluar në mënyrë të qetë dhe pa incidente serioze, falë realizimit të suksesshëm të planit operacional të sigurisë.
Sipas njoftimit nga Policia e Kosovës, “Plani operacional i paraparë për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, i cili kishte për qëllim ofrimin e sigurisë, mbajtjen e rendit, qetësisë dhe sigurisë publike, u realizua me sukses në tërë territorin e Republikës së Kosovës.”
Stavileci i PDK-së: Kemi rezultat inkurajues, më të mira se rezultatet e exit polleve
Zëdhënësi i Partisë Demokratike të Kosovës, Blerand Stavileci u shpreh i sigurt që vullneti i qytetarëve reflektohet më mirë sesa çfarë pasqyrojnë rezultatet preliminare të exit polleve.
Pas mbylljes së qendrave të votimit, Stavileci nga selia e PDK-së, tha se rezultati është inkurajues.
Sipas tij, hapat e mëtejshëm për atë se çfarë do të prodhoj epilogu përfundimtarë i këtyre do t’i ndajnë edhe me medie.
Lajmi i plotë KËTU.
LDK del me të dhënat e saja preliminare: LVV-34%, LDK-24% dhe PDK-22%
Zëdhënësi i LDK-së Besian Mustafa ka deklaruar se sipas të dhënave të tyre LVV-ja ka 34 për qind, LDK-ja – 24 për qind dhe PDK – 22 për qind.
“LDK ka së paku dyfishim të rezultateve të zgjedhjeve të kaluara pa llogaritur rezultatet e diasporës, ku edhe aty jemi shumë mirë”.
Mustafa thotë se sipas Exit-Pollit të LDK-së me 18 mijë respodentë LDK së paku ka dyfishuar votat.
Lajmi i plotë KËTU.
Haradinaj: Jemi të sigurt se do të kemi rezultat dyshifror, presim qeveri të opozitës
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj shprehet i lumtur që në zgjedhjet e sotme të përgjithshme ka fituar siç tha ai opozita.
Ai thotë se partitë opozitare tashmë duhet të angazhohen që sa më shpejt të formojnë institucionet.
Molliqaj i PSD-së: Opozita mos të bëjë koalicion me Vetëvendosjen
Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj ka reaguar pas publikimit të exit poll në media, i cili ka thënë se kjo është një fitore për Kosovën.
Sipas Molliqajt, opozita nuk duhet, me asnjë kusht, të bëjë koalicion me Vetëvendosjen.
KQZ: Procesi i votimit u përmbyll pa probleme, mbi 780 mijë qytetarë votuan
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ka bërë të ditur se të gjitha qendrat e votimit janë mbyllur me kohë.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi tha se procesi i votimit është përmbyllur me kohë sipas parashikimeve të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme.
“Duke u mbështetur në të dhënat preliminare nga 2 mijë e 297 vendvotime apo nga 90.68% e tyre nga gjithsejtë 2 mijë e 533 sa janë, në zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës kanë votuar 40.04% apo 789 mijë e 172 votues nga 1 milionë e 970 mijë e 944”, tha Elezi.
Lajmi i plotë KËTU.
Numri i ulëseve në Kuvend që pritet të marrin partitë sipas Exit Pollit nga UBO
Nga këto rezultate LVV do të ketë 46 deputetë, PDK do të ketë 24 deputetë, LDK 22 deputetë.
Se sa deputetë do të marri AAK dhe info tjera, kliko këtu.
EXIT POLL-i nga RTV Dukagjini
Sipas EXIT POLL-it të realizuar nga RTV Dukagjini dhe kompanisë UBO-Consulting këto janë rezultatet që kanë marrë subjektet politike:
Për më shumë info, kliko këtu.
Mbyllen të gjitha vendvotimet
Në ora 19:00, janë mbyllur të gjitha vendvotimet në të gjithë vendin, duke përmbyllur procesin zgjedhor.
Qytetarët patën mundësinë të shprehin vullnetin e tyre gjatë orëve të votimit, ndërsa tani komisionet zgjedhore do të nisin procesin e numërimit të votave.
Sipas autoriteteve zgjedhore, procesi i votimit është zhvilluar në mënyrë të qetë dhe pa incidente të mëdha, ndërsa pjesëmarrja pritet të bëhet publike në orët në vijim.
Rezultatet paraprake priten të publikohen gjatë mbrëmjes ose në orët e para të mëngjesit.
Për më shumë informacione mbi rezultatet dhe reagimet e partive politike, qëndroni të informuar me përditësimet e radhës.
Mungesa e tavolinave informuese në qendrat e votimit shkakton konfuzion te qytetarët
Largimi i tavolinave informuese nga qendrat e votimit ka shkaktuar konfuzion te qytetarët, në zgjedhjet e sotme parlamentare. Një gjë e tillë nga ndodhur në qendrën e votimit “Shaban Hashani” në komunën e Ferizajt.
Kryesuesja e kësaj qendre, Hajrije Nebihu tha se votimi në këtë qendër ka nisur me kohë, mirëpo problem ka qenë mungesa e tavolinës informuese për qytetarët e cila është larguar nga KQZ-ja.
Kjo sipas saj ka bërë që shumë qytetarë “të presin me orë të tëra dhe në fund të kuptojnë se s’kanë të drejtë vote këtu”.
Krahas kësaj, si problem për qytetarët ajo e shfaqi edhe mungesën e vendvotimeve në katin e parë, gjë e cila ka vështirësuar votimin në katin e dytë për personat më të moshuar.
“Votimet kanë filluar me kohë dhe kemi qenë të përgatitur. I kemi gjashtë vendvotime, deri këtu jemi mirë por me disa pengesa dhe vërejtje që i kemi pasur. Mirëpo në përgjithësi procesi deri tani ka shkuar shumë mirë. Në katin e parë nuk kemi klasë, pra nuk kemi vendvotime. Sivjet na ka penguar shumë por ka qenë problem tavolina ndihmëse që është larguar nga KQZ-ja. Kemi raste të shumta që presin me orë dhe në fund kuptojnë se nuk do të votojnë këtu. Ky ka qenë problemi kryesor”, tha ajo.
Megjithatë, ajo tha se deri në orën 15:00 në këtë qendër kanë votuar 1 mijë e 602 votues nga gjithsej 5 mijë e 115 qytetarë me të drejtë vote.
“Deri në orën 15:00 kemi pasur 1 mijë e 602 votues me të drejtë vote. Krahasuar me zgjedhjet e vitit 2021 vërehet një fluks më i madh”, theksoi Nebihu.
Në Ferizaj të drejtë vote kanë 118 mijë e 288 votues, në 44 qendra të votimit me 152 vendvotime.
Kandidati i Listës Serbe thyen heshtjen zgjedhore, jep sugjerime se cilët numra duhen votuar
Kandidati i Listës Serbe për deputet, Milan Kostiq nuk ka respektuar heshtjen zgjedhore, duke e thyer atë.
Kostiq ka publikuar një thirrje për të votuar partinë e tij, e përveç kësaj ai u ka sugjeruar serbëve edhe numrat e kandidatëve për të cilët duhet të votojnë.
Mesazhi i tij gjithashtu përmbante gjuhë nacionaliste .
Lajmi i plotë KËTU.
Pejë, mbi 32 mijë votues deri në ora 15:00
Deri në ora 15:00 në qytetin e Pejës kanë votuar 32 mijë e 288 qytetarë, ndërsa të drejtë vote kanë 115 mijë e 679 qytetarë.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftoi po ashtu se në gjithë Kosovën, deri në ora 15:00 kanë votuar mbi 500 mijë votues.
Fotografoi votën, dërgohet në stacion policor një person në Zveçan
Mbi gjysmë milioni qytetarë me të drejt vote, tashmë kanë ushtruar të drejtën e tyre dhe kanë votuar.
Ndonëse procesi është duke shkuar pa ndonjë incident të madh, një rast i fotografimit të votës është raportuar në Zveçan.
Zëvendësdrejtori i policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani ka konfirmuar për Telegrafin se një person është sjellë në stacion.
Lajmi i plotë KËTU
Votimi nga diaspora, 75.54% e qytetarëve votuan në përfaqësitë diplomatike – mbi 50 mijë pako kanë arritur përmes postës
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), në konferencën e radhës ka bërë të ditur se ka nisur verifikimi i votave të ardhura nga diaspora përmes postës.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka bërë të ditur gjithashtu edhe numrin e qytetarëve në diasporë që kanë votuar në përfaqësitë diplomatike.
“Lidhur me votimin në përfaqësitë diplomatike që u përmbyll gjatë ditës së djeshme ju njoftojmë se nga 20 mijë e 324 votues që ishin regjistruar për këtë mënyrë votimi në 30 përfaqësitë e Republikës së Kosovës kanë votuar 15 mijë e 352 votues apo 75.54%”, ka thënë Elezi.
Lajmi i plotë KËTU.
Elezi nga KQZ: Deri në ora 15:00 kanë votuar 558,246 qytetarë
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka mbajtur konferencën e radhës për procesin zgjedhor.
Zëdhënësi I KQZ-së, Valmir Elezi, tha para mediave se deri në ora 15:00, dalja e qytetarëve në votime është 28.32%, transmeton Telegrafi.
“Procesi po vazhdon pa probleme. Deri në ora 15;00 kanë votuar 558,246 qytetarë, apo 28.32%”, tha ai.
Për të parë krahasimin me vitin 2021, kliko këtu.
Deri në ora 15:00 kanë votuar 534,210 votues, apo 27.10 përqind e votuesve
Procesi zgjedhor për zgjedhjet parlamentare vazhdon të zhvillohet në vend, dhe deri në orën 15:00, numri i votuesve që kanë marrë pjesë ka arritur në 534,210, që përfaqëson 27.10 përqind të totalit të votuesve.
Ky informacion është bërë i ditur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), i cili ka ndarë këto të dhëna për të mbajtur qytetarët të informuar në lidhje me zhvillimet e procesit zgjedhor.
Ndërkohë, nga KQZ është paralajmëruar një konferencë për media që do të mbahet për pak çaste, ku pritet të bëhen publikë të dhënat dhe informacionet më të detajuara mbi zhvillimet e procesit të votimit deri në këtë moment.
LDK në Viti thotë se aktivistët e LVV-së sulmuan asamblistin Ilir Zuka, Policia: Rasti nuk ndërlidhet me procesin zgjedhor
Lidhja Demokratike e Kosovës dega në Viti, përmes një njoftimi ka thënë se është sulmuar këshilltari komunal Ilir Zuka.
LDK ka fajësuar për këtë rast aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje.
Lidhur me këtë rast Telegrafi ka kontaktuar me policinë në rajonin e Gjilanit. Zëdhënësi i policisë, Ismet Hashani bëri të ditur se ky rast nuk ndërlidhet me procesin zgjedhor.
Lajmi i plotë KËTU.
Votojnë pacientët e QKUK-së, tregojnë se çfarë presin nga këto zgjedhje
Pacientët të cilët trajtohen në Qendrën Klinike Universitare kanë pasur mundësinë të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës.
Në pamundësi që t’i drejtohen kutive të votimit, të shtrirë në klinikat e QKUK-së ata kanë votuar me shpresën se nga këto zgjedhje do të ketë ndryshime në shëndetësi, ekonomi e arsim.
Deri në orën 11:00 në rajonin e Mitrovicës kanë votuar 17 mijë e 256 qytetarë
Është duke vazhduar procesi zgjedhor në rajonin e Mitrovicës.
Sipas të dhënave të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, deri para orës 11:00 në Mitrovicë kanë votuar 6 mijë e 237 qytetarë, në Vushtrri, 7 mijë e 22 qytetarë, ndërsa në Skenderaj 3 mijë e 997 qytetarë.
Gjithsej, deri në këtë periudhë kohore kanë votuar 17 mijë e 256 qytetarë.
Bëhet e ditur se në Mitrovicë kanë të drejtë vote 81 mijë e 482 qytetarë, në Vushtrri 73 mijë e 713 qytetarë, ndërsa në Skenderaj 53 mijë e 329 qytetarë.